Sport Kurrë më shumë se gjysmë ore në fushë, çdo herë një telash....

Kurrë më shumë se gjysmë ore në fushë, çdo herë një telash. Vazhdon mallkimi për Pogba

Në Empoli, Paul Pogba u shfaq për herë të dytë në fushë këtë sezon, pas 161 minutave të luajtura sezonin e kaluar. Brishtësia e francezit lindi në kohën e Mançester Junajtid dhe po e torturon vazhdimisht te Juventusi mesfushorin.

Sa kohë do duhet, do ta thonë analizat. Kur jeton një kalvar si ai i Paul Pogba humb çdo siguri dhe çdo dhimbje nuk është një kambanë alarmi, është sirena e ambulancës. Teksa shokët festonin me tifozët për fitoren në Empoli, ai largohej nga stadiumi bashkë me stafin mjekësor.

“Ndjeu një shqetësim në pjesën e prapme të këmbës”, – tha trajneri Allegri. Ndërprerja e kampionatit mund ta ndihmojë në këtë moment, por sapo u pa të çalonte në fushë, në mendjen e të gjithëve u shfaq frika e dëmtimit të radhës.

Që prej 23 korrikut 2022, kur në turneun amerikan dëmtoi meniskun e gjurit të djathtë, Pogba ka pasur vetëm telashe. Në fillim bëri terapi konservative, pastaj ndërhyrjen kirurgjikale që i mohoi Botërorin e Katarit. Francezi është një lojtar i brishtë fizikisht. Në sezonin e fundit me Mançetser Junajtid luajti 27 ndeshje, në të parafundit 22.

Në vitin e parë me Juventusin numëron 10 ndeshje dhe 161 minuta në total. Kurrë më shumë se gjysmë ore në fushë. Ndalesat e vazhdueshme, që vijnë nga problemi i gjurit, tërheqjet muskulore, dëmtimet në kofshë e kështu me radhë, e kanë shoqëruar gjithë kohën.

Rikthimi për këtë sezon ishte parashikuar pas ndërprerjes së kampionatit, por Pogba kishte dhënë sinjale të mira në testet verore. Në Udine nuk luajti, me Bolonjën 24 minuta dhe 28 minuta me Empolin, por sërish dëmtim. Mallkimi vazhdon për futbollistin francez.