Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se në dosjen që ka ngritur kundër tij për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani” ka fshehur një dokument që vërteton se ka qenë kryeministri Edi Rama, asokohe kryetar i Bashkisë Tiranë, që ka ndryshuar destinacionin e zonës.
“Këta falsifikatorë dhe mashtrues shkruajnë se me datë 22.05.2006, pala pronare e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi lidhi kontrate me kompaninë Kontakt ku kompania mori përsipër ndërrimin e destinacionit. Sipas Skapit, kjo u realizua nga miratimi në KRTRSH e Republikës 6 muaj më pas, më datën 21.11.2006 me firmën e Sali Berishës”, tha Berisha në një konferencë për mediat, shkruan A2 CNN.
“Por çfarë fshehin këto qenie mjerane për vitin 2006, që janë të gatshëm të pështyjnë mbi surratin e vet? Ata fshehin:
1- Qeniet mjerane të denatyruara nga krimi, Dumani i pyetjes 1 milion, Kraja i policisë sekret hoxhiste, vilave dhe ndërtimeve, Melonai, ndrikulla e bandës së Elbasanit, FSHEHIN dokumentin zyrtar që e kanë në dosje, në të cilin del se jo Sali Berisha, por është Edi Rama që ndryshoi destinacionin e zonës nga zonë sportive ne zone urbane ndërtimi 5 muaj më herët nga sa pretendon Skapi i partisë, konkretisht me datë 08.06.2006 dhe ky është dokumenti numër 1. Ky është vendimi i KRRT-së me firmën e Edi Ramës, të cilin skapistët e paraqesin si vendim të Sali Berishës, në të cilin në datën është ndryshuar destinacioni nga zonë sportive në zonë ndërtimi.
2- FSHEHIN dokumentin zyrtar që fakton se ky ndryshim destinacioni ishte vendosur me 12.05.2006 me vendim të Këshillit Teknik të KRRT, i cili përbëhej nga 10 drejtorë të Edi Ramës dhe ajo që ishte më e veçanta e këtij vendi, ishte se ai është marrë pas asnjë kërkese të pronarëve të tokës dhe të institucioneve që administronin klubin Partizani. Ky vendim është marrë 10 ditë përpara se pronaret e tokës të lidhnin kontratë me kompaninë e ndërtimit.
Mbi bazën e këtij ndryshimi destinacioni, Edi Rama përmes Këshillit Teknik të Bashkisë përcaktonte se cila çështje hynte në rendin e ditës të KRRT
Pra, destinacionin e ndryshoi Edi Rama me datën 12.5.2006 në Këshillin Tektik të Bashkisë së Tiranës dhe pastaj 10 ditë më vonë në Këshillin e Rregullimit të Territorit, të kryesuar jo nga Sali Berisha, por nga Edi Rama”, tha Berisha.
“Kursimet tona i administron Argita”
“Ata që mendojnë se, është ryshfet solidariteti familjar, ata nuk kanë familje, nuk dinë çfarë është familja. Ata edhe po të jenë prind, por prindër nuk janë. Ata mund të jenë nëna, baballarë, por të tillë se meritojnë. Solidariteti familjar, është solidaritet”, tha Berisha gjatë konferencës online me gazetarët, teksa ka theksuar se kursimet e tij dhe të bashkëshortes i administron vajza, Argita.
“Së pari, po i ndajmë pak. Shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Sali Berisha ka kursimet e veta, të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Nuk është marrë kurrë me administrimin e tyre, edhe të miat edhe të Lilit, i administron vajza jonë, Argita Malltezi.
Lidhur me shërbimet shëndetësore. Po ju rrëfej një sekret. Në të gjitha rastet në mënyrë absolute ajo ka marrë një porosi nga unë; këto shpenzime do t’i marrësh nga kursimet e mi. Ajo nuk e ka zbatuar këtë porosi. Ajo ka gjykuar se këto shpenzime t’i përballojë me kursimet e saj. Dhe unë i jam shumë mirënjohës për këtë, asaj, Abit dhe cilido që ka kontribuar. Ne jemi një familje me solidaritet të madh familjar, si çdo familje shqiptare. Unë nuk mund të them se do ta shtyja më tutje këtë problem, me fëmijët e mi.
Për sa i përket pagesave për avoketërit. Ato janë pagesa të cilat janë bërë ashtu siç thua t’i, po duhet të kuptoni një gjë: janë të gjitha hua të 4 personave që janë në procesin e shpalljes ‘non grata’ nga lotimi korruptiv i Edi Ramës, Xhorxh Soros, McGonigal dhe jo vetëm, pranë sekretarit të Shtetit, Blinken.
Lidhur me ndonjë transferentë që ka bërë Jamarbër Malltezi, me porosi të Argita Malltezit, e cila nuk ka qenë në Shqipëri, ata i kanë zgjidhur problemin fill mbrapa dhe është çdo gjë në këtë kuadër. Pra nuk ka në mënyrë absolute asnjë shkelje ligjore.
Dhe ata që mendojnë se, është ryshfet solidariteti familjar, ata nuk kanë familje, nuk dinë çfarë është familja. Ata edhe po të jenë prind, por prindër nuk janë. Ata mund të jenë nëna, baballarë, por të tillë se meritojnë. Solidariteti familjar, është solidaritet.
E rëndësishmja është kjo; nga vijnë këta para? Dhe Argita e Jamarbër Malltezi i kanë të gjitha të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Aq të deklaruara dhe të sakta i ka, sa mercenarët e Skapit duke mos pasur këkund të kapen, shkojnë e nxjerrin transaksione të 30 viteve më parë, mes Abi Malltezit që në atë kohë merrje me real estate dhe biznesmenit Damir Fazlliq. Dhe vetëm e vetëm për të krijuar lajme në media, për një akt 100% normal. Pa asnjë lidhje me klubin Partizanit dhe asgjë. Por qeniet monstra të fëmijëve tanë, qenie mjerane të Skapit, pasi kanë shitur çdo të vetes së tyre, janë të aftë të shkruajnë dhe bëjnë gjithçka”, u shpreh Berisha.