Kryesore Kurti: Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha sesa...

Kurti: Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha sesa të Uashingtonit dhe të Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë me Ditmir Bushatin në podcastin Public Square, ka folur për 25 marsin e 1999, ndërhyrjen e NATO-s që shënoi fillimin e fundit të luftës.

Kurti ka sqaruar edhe tensionin e krijuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose më saktë siç preferoi ta trajtonte ai “me Departamentin e Shtetit”.

“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në luftë dhe i kam njohur të gjallë; e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet, në veçanti. SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer genocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtë qëndrimin e as ndjeshmërinë, sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identikë”, është shprehur Kurti.

Një tjetër element i rëndësishëm i intervistës ishte kur Albin Kurti vuri në dukje se ambiciet e tij për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit

Sipas Kurtit, ambicia e shqiptarëve për veten duhet të jetë më e lartë sesa ajo e të huajve për ne.

“Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit. Unë besoj se kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin tonë dhe për kombin tonë mbarë nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet për ne më të mëdha sesa ne për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për veten tonë sesa atë që kanë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë, që sigurisht që janë të paçmueshëm dhe të pazëvendësueshëm”, tha Kurti.

Intervista e plotë:

Ditmir Bushati: I dashur Albin, ne kemi një element të përbashkët, natyrisht jo për meritën tonë, sepse kemi të njëjtën datë lindje. Çerek shekulli më parë, 24 Marsin e vitit 1999 unë e mbaj mend që kam qenë në vitin e fundit në universitet duke festuar me shokët dhe shoqet e mia dhe natyrisht lajmi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte një lajm i shumëpritur. Ju fatkeqësisht, për rrethana që as ju nuk do donit, keni qenë i burgosur. Më intereson të di cili ka qenë përjetimi juaj personal në burg kur mësuat për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë?

Albin Kurti: Angazhimin tim politik unë e kam filluar në protesta studentore. Pra, fillimisht si aksion. Do thosha si një lloj përpjekje e studentëve të Universitetit të Prishtinës që u ngriten, së pari, për lirimin e objekteve dhe hapësirës universitare, gjithashtu edhe për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e Kosovës. Në Qershor të vitit 1991, të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës ishin dëbuar nga universiteti së bashku me profesorët e tyre. Kjo ishte arsyeja se pse ne për gati një dekadë ndodheshim në objektet private, ku i kishim shndërruar ato në shtëpi-shkolla dhe në shtëpi-universitet. Paralelisht me këtë edhe prindërit tanë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës. Nga fabrikat, spitalet, nga të gjitha institucionet publike shtetërore. Ishte koha e aparteidit në Kosovë, ku të ishe qytetar shqiptar do të thotë të ishe qytetar i rendit të dytë, do të thotë të mos ishe fare qytetar. Të ishe i shtypur dhe i shfrytëzuar sipas përkufizimit. Vrasja e shqiptarëve nuk paraqiste krim në atë kohë. Prandaj, kishte shumë vrasje të shqiptarëve për të cilët vrarësit nuk mbanin asnjë orë burg. Në këto kushte unë isha student dhe më dukej që politika e atëhershme bënte rezistencë paqësore, pasive, që disi, ishte tejet pasive për të qenë rezistencë. Ne filluam ta ridimensionojmë rezistencën asokohe ku me protesta dhe demostrata filluam ta bëjmë rezistencën paqësore active. Por, shumë shpejt shpërtheu lufta në Kosovë dhe ishte e qartë që faktorët ndërkombëtare nuk do të bënin sehir sikurse në rastin e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Unë besoj se ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, apo, Jugosllavisë së tretë siç thuhej në atë kohë – Jugosllavia e parë ishte ajo monarkike, Jugosllavia e dytë ishte ajo e Titos dhe e treta, kjo e Millosheviçit – kishte si faktor përcaktues një lloj brejtje të ndërgjegjjes të komunitetit ndërkombëtar që kishte ndërhyrë tepër vonë, tepër pak në Bosnje-Hercegovinë. Pra, pasi atje ngjau genocidi. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, në fakt ishte ndërhyrje e NATO-s në Jugosllavi. Kishte bombardime dhe në Mal të Zi, dhe në Vojvodinë, dhe në Serbi. Por, më shumë kishte bombardime në Kosovë ndaj forcave policore dhe ushtarake të Serbisë që ishin në caqet e ndërhyrjes së NATO-s. Me fjalë të tjera, ndërhyrja e NATO-s vjen pas një dekade aparteidi, pushtimi klasik në Kosovë, pas shfuqizimit të autonomisë, e cila dhe ashtu nuk ishte Republikë. Dhe në anën tjetër, pas ndërhyrjeve në Kroaci dhe sidomos në Bosnje-Hercegovinë.

Unë besoj që nga pikëpamja ime si politikan, që në atë kohë që kisha filluar me politikën si aksion në unionin studentor, këtu në terren ishin dy faktorët kryesore që bënë që pranvera e vitit 1999 të jetë fillimi i fundit i luftës në Kosovë dhe overtura e çlirimit të popullit dhe vendit tonë.

Në aspektin ndërkombëtar ishin dhe dy faktorë të tjerë mendoj. E para, Serbia refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë, ndonëse ajo ishte mjaft e favorshme për Serbinë, për Millosheviçin. Ai e refuzoi atë nga mendjemadhësia, nga arroganca dhe nga fakti që shqiptarët nuk i konsideronte as qytetarë, as njerëz dhe vazhdimisht Millosheviç i thoshte Richard Holbrooke se, ‘me shqiptarët mund të mbaroj punë për 48 orë nëse do t’i kishte tamam duart e lira nga bashkësia ndërkombëtare’. Faktori tjetër ishte një lloj frike e qartë te Perëndimi demokratik se lufta në Kosovë nuk do mund të mbetej vetëm në Kosovë. Dihet që Republika e Shqipërisë është e rrethuar me shqiptarë. Ka shqiptarë në Mal të Zi, në Kosovë po e po, në Luginën e Preshevës edhe në Maqedoninë e Veriut. Faktori ndërkombëtar e kuptonte mirë që po të zgjatej lufta edhe ca më shumë, menëqëse Serbia kishte një aparat gjigand ushtarak e policor, shqiptarët nuk do të reagonin vetëm si shqiptarë të Kosovës, por si një komb në Ballkan. E kjo do përfshinte edhe shtete të tjera. Andaj, faktori i dytë në aspektin ndërkombëtar pse unë besoj që me 24 Mars 1999 ranë bombat mbi Beogradin dhe caqet e tjera të NATO-s të asaj kohe ishte, paralelisht mospranimi i Marrëveshjes së Rambujesë që ishte i favorshëm për Serbinë dhe frika e Perëndimit demokratik që lufta do të përhapej edhe në vende të tjera në këtë pjesë të Europës.

Ditmir Bushati: Një çerek shekulli më pas, po të analizohet rrugëtimi i Kosovës ka qenë sfidues, i vështirë, është ngritur, ka pasur momente që ka bërë hapa mbrapa. Por, nëse më duhet që të flas për ‘fenomenin Albin Kurti’, ose për ‘aktivistin dhe politikanin Albin Kurti’, do të thoja se ka qenë përgjithësisht kontestues ndaj një pjese të këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur. Ju e prekët pak dhe vetë thelbin apo tekstin e Marrëveshjes së Rambujesë për të vazhduar më pas me disa procese të tjera që i kanë paraprirë pavarësisë, apo nga momenti i shpalljes së pavarësisë deri te konsolidimi i shtetësisë së Kosovës.  Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë qenë gjithashtu kritikë përsa i përket mirëqeverisjes apo keqqeverisjes në Kosovë. Si e shihni ju sot nga pozicioni i kryeministrit? Pra, ju jeni në vitin e tretë si kryeministër, keni mbushur tre vite në detyrë. Cilat janë dallimet e Albin Kurtit dikur në opozitë dhe shija e ‘opozitarit Kurti’ dhe ‘detyrat e kryeministrit Kurti’?

Albin Kurti: Në politikë kam hyrë si kritikues dhe meqënëse politika nga fillet e angazhimit tim ishte aksion, edhe si kundërshtues. Pra, kritikues dhe kundërshtues. Kundërshtimi si pasojë e kritikës dhe e politikës si aksion. Si një lloj ndërhyrje subjektive e vullnetit në sferën publike ku dëshiron të ndryshosh gjërat për çfarë është i nevojshëm organizimi me të tjerët. Pra, organizimi si mjet për fuqi dhe fuqia si domosdoshmëri për ndryshime të cilat i donim. Unë nuk është se kam kritikuar shumë rrugët e ndjekura. Për të thënë të drejtën, ne shqiptarët në Kosovë jemi pajtuar me këtë gjë. Dallimet tona gjithmonë kanë qenë të vogla, por dramatike. Ne këtë aspekt unë kam kritikuar dhe kam kundërshtuar, sepse kam besuar fuqishëm që mundemi më shumë dhe meritojmë më shumë. Pra, mund të bëjmë më shumë si popull, edhe si udhëheqje politike. Dhe në anën tjetër, meritojmë më shumë krahasuar me atë çfarë na ofronin faktorët ndërkombëtar. Pra, kritika ime e ka burimin te kjo. Jo se ndodhemi komplet në një orientim të gabuar. Gjithmonë e kam pasur orientimin pro-perëndimor: BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos NATO-ja. Nga orientimi, ne shqiptarët s’kemi pasur dallim. Kemi pasur dallim të strategjive, të taktikave, por do thosha dallime të ndjeshmërive të situatës.

Unë pra kam besuar përherë si kritikues i shndërruar në kundërshtues që mundemi më shumë dhe meritojmë shumë. Mundemi më shumë. Dhe ne për nga vullneti dhe fuqia meritojmë më shumë sesa propozimet dhe ofertat që vazhdimisht na vinin nga faktorët ndërkombëtare. Njësoj ka qenë dhe rasti i shpalljes së pavarësisë. Unë edhe sot e kësaj dite besoj se gjatë ‘bisedimeve të Vjenës’ kemi dhënë tepër shumë tepër herët. Nuk ka qenë e nevojshme të bëhen gjithë ato konçesione para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Unë besoj se konçesione të caktuara, të cilat unë s’kam qenë brenda, mund të kenë qenë të nevojshme, mirëpo ka qenë e mundur të afatizohen. Dhe në anën tjetër, gjithashtu ka qenë e mundur të lihen për më vonë me rastin e plotësimit të ndonjë kushti nga Serbia.

Ta zëmë, ‘pakoja e Ahtisarit’ me atë decentralizim mbi baza etnike, me ulëset e garantuara dhe të rezervuara në Kuvend e kështu me radhë, në fakt është menduar që t’i pelqejë edhe Serbisë dhe rrjedhimisht të kemi një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do ta zëvëndësonte Rezolutën 1244. Kjo nuk ndodhi. Meqënëse kjo nuk ndodhi, kur ne shpallëm pavarësinë, unë nuk besoj që ka qenë e nevojshme që të gjitha ato të zbatohen njëanshëm paçka se ishin negociuar me Serbinë. Ajo në fund i kishte fituar ato, por ishte ndarë e pakënaqur me vëllimin apo përmasën e tyre. Pra, Serbia i mori të gjitha konçesionet përmbajtësisht dhe nuk e pranoi paketën formalisht dhe vazhdoi që të na sabotojë neve siç bën dhe sot e kësaj dite me elementë të ndryshëm kriminal, sidomos në veri të Kosovës.

Pra, dua ta sqaroj këtë dimension të politikbërjes nga ana ime me aq sa unë mund të analizoj veten. Unë gjithmonë e kam një lloj prirje të këtillë që të kërkoj më shumë, më mirë, më shpejt. E tash sot ku ndodhem e kuptoj që në mekanizmat shtetërore, kushtetuta, ligji dhe faktorët e dukshëm e padukshëm vendor e ndërkombëtar ta marrin kohën, ta marrin energjinë, ta komplikojnë përllogaritjen dhe mbase t’i bëjnë më të vështira dhe vendimet dhe sidomos zbatimin e tyre. Por, sido që të jetë nuk është se jam pishman për kritikën dhe kundërshtimet që kam bërë në të kaluarën.

Ditmir Bushati: Kryeministër, kur ju erdhët në krye të punëve të vendit në Kosovë si një nga prioritetet e punës tuaj shpallët dialogun me pakicën serbe në Kosovë, në vend të dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel. Pse nuk funksionoi siç duhet tre vite më pas? Pse nuk dha ato rezultatet që priteshin?

Albin Kurti: Rezultatet që priteshin nuk i kemi, është e vërtetë sepse në njërën anë ka pasur një tejreagim nga ana e Beogradit që frikësimin e ka metodë pune të përditshme. Pra, ky tejreagim i Beogradit e bëri më të vështirë situatën në terren, dhe në anën tjetër është një pjesë e mirë e punës tonë, e cila nuk është bërë publike dhe vazdon të mos jetë publike. Nuk ka ditë të punës time që unë nuk takoj serbë, qytetarë të Kosovës e që nuk komunikoj me ta. Këtu nuk e kam fjalën për ministrin tim Nenad Rašić dhe zëvendësin e tij Radoica Radomirović. Këtu e kam fjalën dhe për serbë të tjerë. Sidomos tani nga veriu i Kosovës lajmërohen gjithnjë e më shumë serbë. Mirëpo kërkesa e tyre e parë dhe e fundit teksa dalin nga takimi është të mos ketë fotografi, të mos ketë komunikatë dhe të mos përmenden emra.

A e dini që në veri të Kosovës vitin e kaluar me dhjetëra makina të serbëve të integruar janë gjetur të djegura? Ky është fenomen i paparë në Kosovën e pavarur. Ata kanë djegur makina të shqiptarëve më herët, tani nuk po djegin makina të shqiptarëve. Tani po djegin makina të serbëve që po integrohen. A e dini që kur kaloni kufirin Kosovë-Serbi shumë më pak cënohet a ngacmohet një shqiptar sesa një serb i integruar në institucionet e Kosovës? Pra, serbët që integrohen në sistemin tonë të Kosovës heqin të zitë e ullirit nëse vendosin të shkojnë në Serbi. Një numër i madh i serbëve të integruar në Kosovë nuk po shkojnë më në Serbi, sepse atje arrestohen e sigurisht që kur kjo i ndodh edhe Rada Trajković, të cilin me sëmundje zemre e lënë të ngujuar në makinë për ditë të tëra, ose Nikola Sandulović, i cili vë lule të freskëta të varri i Blerina Jasharit, që u vra me epopenë e UÇK-së në Marsin e 1998-ës dhe më pas përjeton vdekje klinike në burg e në spital në Serbi. Është shumë e vështirë për serbët e Kosovës që të thonë ‘u takova me kryeministrin Kurti’, por komunikimi me ta vazhdon dhe ne jemi duke punuar përditë. Rezultatet e kësaj pune të përditshme padyshim që do të shihen një ditë, por do të shihen një ditë kur do të jetë e mundshme të ketë një siguri të tillë. Mua më vjen shumë keq dhe më dhemb zemra që nuk po arrij ti mbroj qytetarët që po integrohen në Kosovë, sepse mundësitë e Serbisë janë më të mëdha dhe ne jemi në fillet e një komunikimi të shëndoshë me serbët. Ky komunikim nuk është biznes, nuk është as për imazh. Është substancial. Prandaj, është më i vështirë dhe në këtë aspekt unë besoj që rezultatet nuk janë siç duket e sa duket, por janë më të mëdha sesa që duken dhe në anën tjetër tejreagimi i Beogradit e ka bërë punën më të vështirë.

Ditmir Bushati: Pse ky raport i tensionuar i marrëdhënieve me SHBA-të? Pse kjo mungesë fleksibiliteti për të cilën ju vizatoheni shpesh nga kundërshtarët tuaj? A ka një çështje, një mospërputhje konceptuale mes vullnetit të institucioneve të Kosovës dhe qeverisë Kurti për të shtrirë sovranitetin në të gjithë vendin dhe kërkesës që mund të vijë nga SHBA-të apo partnerët e tjerë për ta lënë këtë për një moment tjetër, për shkak të sigurisë në rajon dhe në Europë, apo ka një lexim tjetër që mund të ketë kryeministri Kurti?

Albin Kurti: SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, ‘as nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit’. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetra njerëz të cilët janë vrarë në luftë dhe i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet, në veçanti. SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer genocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtë qëndrimin e as ndjeshmërinë, sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identik. E dyta, unë jam bërë kryeministër pas një plejade të kryeministrave që ishin shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin e bukur të ndryshëm prej meje, dhe kjo ma vështirëson mua punën për raportin e ri që unë dua të ndërtoj me të gjithë partnerët tanë perëndimor. E kjo është një rrugë dykahore e jo vetëm një. Në marrëdhënie edhe merr edhe jep. E jo vetëm të japësh. Kjo është arsyeja pse unë besoj që tej publikohen, super afirmohen dallimet e rastit për çështje të caktuara kohë pas kohe me SHBA-të.

Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit. Unë besoj se kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin tonë dhe për kombin tonë mbarë nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet për ne më të mëdha sesa ne për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për veten tonë sesa atë që kanë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë, që sigurisht që janë të paçmueshëm dhe të pazëvendësueshëm.

Ditmir Bushati: Cili është leximi i kryeministrit Kurti për faktin që media kryesore ndërkombëtare, pra media serioze, New York Times, Washington Post, Le Monde, media kryesore në Gjermani është e gjitha pak a shumë në unison me atë çka ju thoni për Serbinë dhe rolin e saj në rajon? Deri diku mbështetëse e qëndrimit të qeverisë së Kosovës, por, jo në unison apo në harmoni me qëndrimin e kancelarive në këto vende që janë vende partnere për kombin shqiptar. Cili është leximi juaj? Pse ka një hendek mes opinionin-bërësve kryesorë dhe shtypit serioz perëndimor dhe kancelarive të tyre për atë çka po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë dhe situatës në rajonin tonë?

Albin Kurti: Besoj që ndërhyrja agresive, e pajustifikueshme, ilegale, kriminale e Federatës Ruse në Ukrainë i ka vënë të gjithë njerëzit në një gjendje alarmi dhe kanë ndjenjë emergjencë e urgjence, ku ka rënë durimi dhe vëmendja për lexime më të thelluara. Pak prej nesh e dinë se çfarë shkruanin gazetat gjatë Luftës së Dytë Botërore ose çfarë shkruanin gazetat në prag të Luftës së Dytë Botërore. Më shumë dimë librat e historisë, gjeneralët e ushtrisë apo krerët e shteteve. Nuk i dimë shumë gazetat. Pra, kur njerëzit gjenden në këtë gjendje urgjence nuk ekziston durimi dhe vëmendja për të lexuar artikuj të gjatë si puna e artikujve që boton New York Times apo Frankfurter Allgemeine Zeitung ose The Guardian, të cilat do të duhej të alarmonin opinionet publike. Pas pushtimit rus njerëzit ndoshta pa qëllim e kanë normalizuar lajmin e keq. Njerëzit gjithnjë e më pak çuditën. Që të ketë një veprim të kancelarive botërore, çfarë po kërkoni ju me të drejtë, ndaj këtyre shkrimeve, të cilat me të vërtetë janë alarmuese për politikanët dhe lidhjet e tyre me bizeneset, do të duhej që të kishim më shumë vëmendje dhe durim. Do të duhej të çuditeshim më shumë. Pra, më shumë vëmendje dhe më shumë befasi. Kanë rënë edhe befasitë edhe vëmendja.

Njerëzit nuk e kanë vëmendjen e gjatë përgjithësisht. Dhe në anën tjetër, pas këtij sulmi rus që nuk është as si në Luftën e Dytë Botërore, është si në Luftën e Parë, ndoshta as si në Luftën e Parë, por diku te shekulli XVIII. Pra, një rikthim i tillë mesjetar, një rikthim i tillë i feudalizmit në marrëdhënie ndërkombëtare ka bërë që njerëzit, le të themi, ndaj skandaleve dhe krimeve më të vogla ta kenë po ashtu më të vogël ndjeshmërinë.

Ditmir Bushati: Normalizimi i të keqes.

Albin Kurti: Prandaj, kjo është shenjë ndaj epokës në të cilën jetojmë e në të cilën duhet të mbijetojmë.

Ditmir Bushati: Kryeministër prapë i kthehem çështjes që nxiti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Ju përmendet dy elementë. Faktorin ndërkombëtar dhe faktorin shqiptar. E kjo më çon tek një pyetje që ia bëj shpesh vetes. Përpiqem ta analizoj. Natyrisht nuk kam as të gjithë informacionin dhe as të gjithë kapacitetin për t’i dhënë përgjigje në plotni, por, më duhet t’iu a bëj këtë pyetje se më shqetëson si çështje. Pse ka kaq shumë tensione mes politikanëve në Tiranë, Prishtinë apo Shkup që në një mënyrë a në një tjetër reflektohet edhe tek politikanët shqiptarë në Malin e Zi apo në Luginën e Preshevës? Pse e kemi ne shqiptarët kaq të vështirë të punojmë për një projekt të përbashkët kombëtar? Të kemi një bosht strategjik dhe projekte të përbashkëta se ku do të jetë faktori shqiptar në 10, 20, 30 vitet e ardhshme vështruar në këtë kontekst të vështire të sigurisë që ne po jetojmë?

Albin Kurti: Unë do kthehesha pak në histori dhe do thosha që prej se projekti rilindas kombëtar i Lidhjes së Prizrenit para një shekulli e gjysmë rezultoi me një Shqipëri, e cila ngërthente në vete në ato 28 mijë km2 nga Konferenca e Londrës vetëm një e treta e trevës së banuar me shqiptarë në Ballkanin tonë, është kultivuar jo me qëllim, por për nga pasoja një lloj policentrizmi tek shqiptarët. Një lloj shumëgjentërsie. Shqiptarët kanë treguar që dinë të bashkohen. Kemi qenë bashkë në Lidhjen e Prizrenit. Kemi qenë bashkë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Të gjithë kemi qenë bashkë. Kemi vazhduar në forma të ndryshme të jemi bashkë. Mirëpo, që nga Konferenca e Londrës e këtej, dhe kur në Jugosllavinë e Avnoj-it shqiptarët që ishin në Jugosllavi u ndanë në disa republika, më shumë shqiptarë ia lanë Serbisë si më e fuqishme, mesatarisht shqiptarë i lanë Maqedonisë së Veriut se ajo është një republikë mesatare dhe më së paku shqiptarë ia lanë Malit të Zi, sepse ai ishte më i vogli. Ky lloj menaxhimi i shqiptarëve si një trup i huaj në Jugosllavi imponoi policentrizmin.

Unë tash besoj që në shekullin XXI nuk është i mundshëm eliminimi përnjëherë i kësaj gjëndje reale. Aq më tepër kur kemi parasysh se Kosova u shpall një shtet i pavarur në shkurt të vitit 2008 dhe sot e kësaj dite vazhdon ta rrisë dhe profilin e saj ndërkombëtar dhe konsolidimin e saj të brendshëm. Por, ajo çka unë besoj që është e mundshme të bëhet është që synimin tonë për fuqizimin edhe të Europës si kontinent dhe të NATO-s si aleancë ushtarake e demokracive, ta shfrytëzojmë edhe për kombin shqiptar më shumë edhe më mirë. Në anën tjetër, nuk mund të them që vetëm historia është shkaku i gjendjes së tanishme. Mbase ka një lloj pjesëmarrje historia. Ose historiku i njerëzve të cilët sot janë në politikë. Por, ne vazhdojmë të kemi qëndrime jo identike karshi Beogradit zyrtar që i shprehim publikisht, që i zbatojmë përditë dhe ndjeshmëri të ndryshme. Unë besoj që nëse shikoni shqiptarët në Ballkan kudo që janë në skenat politike të kësaj situate policentrike dallimet që i kanë në qëndrime karshi Beogradit zyrtar më pastaj shndërrohen dhe në pengesa bashkëpunimi me njëri-tjetrin.

Konflikti kryesor i shekullit XX është midis kombit shqiptar dhe Serbisë si shtet. Jo mes shqiptarëve dhe serbëve. Dallimi kombëtar nuk ka prodhuar konflikte, por, Beogradi ka qenë qendra e një imperializmi të vogël. Në botë nuk ka vetëm imperializëm të madh, por dhe imperializma të vegjël, të cilët janë shumë të mëdhenj për fqinjët. Beogradi ka qenë një qendër e tillë imperialiste atëherë kur flakadanin e regjimit të preferuar të Moskës në këtë pjesë të Europës ia mori Bullgarisë. Pra, fillimisht Bullgaria ka qenë e preferuara e Moskës dhe këtë flakadan prijës se kush do jetë shteti që prin në Ballkan nga Bullgaria e rrëmbeu Serbia. Ne i kemi të gjitha këto probleme që nga Lidhja e Prizrenit e këtej dhe që shfaqen tek politikanët sepse vetëm pyeti se çfarë të thonë për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić, e nga këto dallime mund të gjesh shumë kollaj dhe shkakun, jo vetëm korrelacionin me dallimet që i kemi pastaj me njëri-tjetrin. Në njëfarë mënyrë konflikti mes kombit shqiptar dhe Beogradit nuk ka përfunduar ende. Dallimet që i kemi me njëri-tjetrin në raport me këtë konflikt, në raport me Serbinë janë shndërruar dhe në pengesa të brendshme. Unë besoj se ky është faktori kryesor, e më pastaj të tjerët mund të nxjerrin dhe elemente si bajraktarizmat, egoizmi e kështu me radhë, po unë mendoj që këto nuk janë kryesoret.

Ditmir Bushati: Para pak kohësh ju keni thënë një shprehje në gjykimin tim të goditur sipas të cilës në ato vende ku politikanët janë më të pasur se biznesmenët nuk mund të flitet as për demokraci as për sundim të ligjit. Po t’i referohesh Kosovës gjatë qeverisjes tuaj si konstatim që vjen nga organizma ndërkombëtarë që monitorojnë vendet, zhvillimin dhe progresin e tyre, Kosova është një nga vendet që ka bërë më shumë progres në rajonin tonë për sa i përket tranformimit demokratik, sundimit të së drejtës, zgjedhjeve të lira, repsektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Edhe kritikët tuaj më të egër nuk e mohojnë faktin që Albin Kurti deri tani ka rezultuar një model i politikanit të ndershëm, paçka se më pas përpiqen të vendosin bishta si ‘antikapitalist, komunist’ e kështu me radhë. Pyetja që kam për ju është a mjafton të jesh i ndershëm dhe cili është raporti mes ndershmërisë dhe efektivitetit në qeverisje për Albin Kurtin si kryeministër?

Albin Kurti: Së pari, unë nuk jam antikapitalist mirëpo nuk mund të jesh social-demokrat pa një kritikë ndaj kapitalizmi, sepse nuk mund të jetojmë për hir të kapitalit. Pra, ka një dallim ndaj të qënit antikapitalist dhe ndaj të qënit kritik ndaj kapitalizmit. Massimo D’Alema e ka një libër interesant në të cilin thotë se të majtët do duhej që tri gjëra ti sqarojnë në plan-programet e tyre. E para, raporti i qendrës me periferinë. Pra, si po zhvillohen qendrat duke mos lënë anash periferitë. E dyta, raporti i kapitalit me punën. Pra, zhvillimi ekonomik në çfarë mase punëson njerëz dhe u mundëson jetë të dinjitetshme në kushte të drejta pune apo jemi në një lloj ekonomie të financiarizuar, e cila vrapon pas fitimit të disave dhe jo pas mirëqenies së shumicës. E treta, raporti i shtetit me kishën apo me institucionet e kultit. Që të trija këto do të duhet t’i ketë një social-demokrat në çdo plan program që zhvillon dhe në çdo aktivitet që si plan veprimi e zbaton.

Tash po ndalemi te kjo kapitali dhe puna. Pra, mes kapitalit dhe punës unë jam në anën e punës dhe unë besoj që të mirat duhet të vinë nga puna. E kjo është baza më reale e asaj që ne në mënyrë të popullarizuar i themi ndershmëri. Pra, të mirat duhet të vinë nga puna. Unë u kam thënë aktivistëve në Lëvizjen Vetëvendosje që udhëheq që është legjitime të provosh të pasurohesh, mbase dhe shpejt, mirëpo për këtë gjë provoje shkathtësinë, diturinë dhe fatin në biznes, jo në sektorin publik. Shërbimi në shtet, sektori publik, institucionet dhe ndërmarrjet publike janë vende që duhet të udhëhiqen nga klasa e mesme. Por, një klasë e mesme që e ka syrin dhe mëndjen nga të varfërit, jo lakminë dhe nuhatjen kah të pasurit. Është e domosdoshme që ta kultivojmë një frymë të këtillë udhëzuese në të cilën angazhimi publik e politik bëhet për hir të shërbimit që është nder e jo për hir të pasurimit që bëhet zhvatje.

Nuk është e rastësishme që ne kemi fituar me mbi 50% të votave në shkurtin e vitit 2021. Por, unë do thoja që kjo nuk është vetëm ndershmëria jonë. Kjo është një gjëndje e caktuar në popull. Ditmir, para disa viteve pata lexuar një studim mbi korrupsionin në rajonin e Ballkanit. Interesant ishin disa konkluzione. Njëri prej tyre, që nuk e kam harruar asnjëherë është se në njërin vend fqinj të Kosovës, nuk po e përmend cilin, 34% të familjeve paguajnë rryshfet për të fituar shërbimet publike që do duhej të ishin të garantuara nga shteti demokratik. Në Kosovë kjo përqindje ishte vetëm 10%. Kosova ishte më mirë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se korrupsioni në Kosovë jo vërtetë ka qenë i lartë por ka qenë në nivele të larta, ka qenë në maje të hierarkië. Që do të thotë se korrupsioni ka qenë sistemik por jo kulturor. Nuk ka pas karakter kulturor, nuk ka qenë korrupsion kapilar që hyn nëpër familje. Ka qenë korrupsion që ngelet te majat e pushtetit. Kjo ishte arsyeja pse ishte e mundshme që lista e Lëvizjes Vetëvendosje të marrë mbi 50% se populli është i shëndoshë. Në një farë mënyre ky është konfirmin i gjëndjes së popullit. Fitorja jonë është pasojë dhe është shumë teknike. Por, gjëndja sociale në popull ishte shumë e favorshme për atë rezultat i cili doli i mirë.

Në anën tjetër, unë do thoja që për shqiptarët në përgjithësi në Ballkan, kemi nevojë për më shumë demokraci në parti. Ne themi që duhet të kemi më shumë demokraci në shtet. T’ju them të drejtën në shtet mbase kemi më shumë nevojë për sundim ligji, për shtet të së drejtës, për prokuror aktiv dhe për gjykatës të mençur e të drejtë. Për prokuror energjik e aktiv dhe për gjykatës të mençur e të drejtë. Ndërkaq, nëpër parti duhet ta kultivojmë demokracinë. Unë mendoj se këtu ngecim ne. E kërkojmë shumë demokracinë nëpër parlamente kur ajo është inekzistente në partitë që shkojnë në ato parlamente. Në këtë dekadë është jetike për shqiptarët kudo që janë që të ndërtojnë parti që janë përbrenda demokratike dhe më pastaj është normale që i tillë të jetë dhe parlamenti. Parlamentet kanë procedura demokratike por demokracia në një kuptim përtej procedurës, në një kuptim më substancial do duhej të ndërtohej, të kultivohej nëpër partitë politike dhe kjo është një sfidë ndër të gjitha ato dhjetëra parti politike që janë në të gjitha anët e këtyre kufijve që na ndajnë si komb në shtete demokratike.

Ditmir Bushati: Cili është mësimi më i madh që ka marrë Albin Kurti në jetë sepse trajektorja juaj është një trajektore atipike? Pra, nuk është ajo e një politikani normal. Është me shumë sakrifica, me shumë privime, me shumë adhurime, por dhe me shumë kundërshti. Nëse do ti thoje një grupi të rinjsh cilat do ishte këshilla që do u jepje atyre për angazhimin publik?

Albin Kurti: Kundërshtarët e mi do të thoshin që mësimet kryesore janë ato që nuk i ka nxjerrë Albin Kurti. Nuk e di a jam unë në gjendje në kundërshtim me ta të them se cilat janë mësimet që në fakt i kam nxjerrë. Por, besoj që nëse ka një fill të aktivitetit politik që më ka ndihmuar shumë në punën që bëj me të gjitha të mirat dhe të këqijat e brendshme është që vazhdimisht jam përpjekur të kombinoj përvojën praktike të organizimit politik dhe të veprimtarisë publike e shoqërore në njërën anë, me librat që kam lexuar, me teoritë që kam studiuar. Pra, jam përpjekur të bëj një kombinim mes teoritizimit dhe praktikës dhe praktiktikimit të teorisë, ndoshta me sukses të pjesshëm, ndoshta me sukses edhe më të madh të perceptuar, sesa  çka është në realitet. Ndoshta me sukses që nuk e di sa do quhet i tillë. Sidoqoftë kjo është ajo që jam përpjekur të bëj. Lidhshmëria mes përvojës dhe librave. Këto janë mësimet. Mësimet janë kombinim i këtyre të dyjave me ç’rast më kanë ndihmuar që të ringritem sa herë jam rrëzuar.

Ditmir Bushati: Ju e përmendet pak më parë konfliktin kryesor të shekullit XX, sfidat kryesore të këtij shekulli sidomos në raportet mes kombeve apo raportet mes fqinjëve. Nëse do ju kërkoja një parashikim, sepse tanimë ju jeni një kryeministër me ekperiencë në detyrë dhe i dini vështirësitë e vendit. Nëse do zhvillohej një garë ku do ishin shqiptarët në përgjithësi në shekullin XXI? Cili do ishte avantazhi ynë krahasues në raport me fqinjët apo kombet e tjera? Pra, jo thjeshtë për Kosovën por pak në mënyrë më të përgjithshme. Në shkencë, në teknologji, në art, në produktivitetin e ekonomisë. Cili do të ishte parashikimi i kryeministrit Albin Kurti?

Albin Kurti: Situata specifike në të cilën ndodhet Ballkani sot është e tillë se të parashikosh Ballkanin pas 5, 10, 20 viteve është e njëjta gjë sikur të parashikosh BE-në dhe NATO-n pas 5, 10, 20 viteve. Pra, në njëfarë mënyre Ballkani sot për nga siguria, paqja dhe progresi i mundshëm varet tejet shumë nga zgjerimi që do kenë këto dy organizma kryesore të shekullit XXI dhe jo vetëm të atij që kaluam. Pra BE-ja dhe NATO-ja. Zhvillimi teknologjik sot në botë është i favorshëm. Inteligjenca artificiale ka bërë gjithçka të paparashikueshme. Mirëpo, më duhet të them që ky zhvillim teknologjik është shoqëruar edhe me një centralizim. Sot qendrat kryesore të zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë numërohen në gishtat e duarve në planetin tonë. Andaj, ne do të jemi shumë të varur nga shpejtësia me të cilën bëhemi vagon sesa nga zelli me të cilin duam të jemi lokomotiva. E kam fjalën për zhvillimin teknologjik e shkencor. Ndërkaq, për atë politik e kombëtar shumëçka varet prej nesh dhe unë jam optimist në këtë pikë. Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve në kuptimin e mirë e të mirëfilltë demokratik të fjalës.