Vlora Hyseni është emri i propozuar për të drejtuar Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili prej disa muajsh është pa drejtues. Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur kërkesën në Presidencë, duke vlerësuar dhe figurën e saj. Hyseni më herët ka drejtuar për katër muaj shërbimin sekret në Kosovë, prej ku u largua me firmën e Kurtit dhe Osmanit.
Kryeministri, Edi Rama, i ka propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit si kreun e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Propozimi është bërë sot paradite, kur kreu i qeverisë zhvilloi një takim 30 minutësh në selinë e presidentit.
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.Vlora Hyseni drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Më herët Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku qëndroi në detyrë për 4 muaj.
Ajo u shkarkua nga Albin Kurti e më tej me firmën e Vjosa Osmanit në 30 qershor 2021, duke sjellë edhe debate politike në Prishtinë.
“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në komunikatë.
Nuk bëhen të ditura më shumë arsye të shkarkimit të zyrtares së lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin për media nga zyra e Kurtit asokohe.
Pas kësaj Hyseni ka shërbyer si këshilltare pranë kryeministrit të Shqipërisë.
Prej disa muajsh SHISH funksionon pa një drejtues.
Helidon Bendo në dhjetor të vitit të shkuar paraqiti zyrtarisht dorëheqjen pranë Presidentit, ndërsa në detyrë u komandua Oljan Kanushi.
Ky i fundit u emërua në detyrën e zëvendësdrejtorit pranë Shërbimit Informativ Shtetëror në muajin gusht të vitit 2022.