Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Jake Sullivan, këshilltarin për siguri kombëtare të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Kurti thotë në postim se e ka falënderuar Jake Sullivan për mbështetjen amerikane për sigurimin e kufirit të Kosovës, ndërsa më pas thekson se ka kërkuar rritje të mbështetjes kundër planeve të luftës të Serbisë.
“Kërkova rritje të mbështetjes kundër planeve të luftës të Serbisë dhe sigurova që bashkëpunimi mes policisë së Kosovës dhe KFOR-it do të vijojë dhe se angazhimi ynë për të mbrojtur qytetarët është i palëkundur”, shkruan Kurti.
Kjo bisedë vjen menjëherë pasi koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.