Kosova Kurti: Kosova kërcënohet nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe...

Kurti: Kosova kërcënohet nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Romë, ku do të mbahet Kongresi i Partisë së Socialistëve Evropian (PES), i përqendruar rreth zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024.

Nga aty Kurti ka dhënë një intervistë për median italiane Agin, ku flet për vështirësitë ne dialogun dhe marrëdhënien me Serbinë. Duke iu referuar bandave serbe që operojnë në Veri, ai i akuzon duke thënë se “ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë”.

“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë.”

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilin Prishtina e dorëzoi më 15 dhjetor 2022, Kurti thotë se “nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim”.

“Por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, thekson kreu i ekzekutivit.

Kurti u pyet edhe për përplasjet e tij të forta me ‘Listën Serbe’ që vepron me direktivat e Beogradit dhe akuzohet për lidhje me Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiçin e Putinin”, nënvizon ai.

Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës e Italisë, Kurti shprehet: “Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Biden dhe SHBA. Nuk mendoj kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin.”