Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët në Bruksel me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri të qartë qëllimin e vendit për anëtarësim në NATO.
Kryeministri u shpreh se është një “gur kilometrik” kërkesa për të qenë anëtare e aleancës për shkak të shqetësimeve që vendi po has me fqinjët veriorë.
“Jam shumë i lumtur qe ndodhem këtu dhe takoj zotin Stoltenberg. Theksova qëllimin e qeverisë dhe popullit tim për të ardhmen. Jemi të angazhuar për të plotësuar qëllimet tona të cilat janë në përputhje të plotë me qëllimet e aleancës duke ruajtur orientimin tonë historik dhe identitetin tonë.
Gjatë 23 vjetëve të fundit NATO ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për të ndihmuar Kosovën për të ringritur nga pikëpamja strukturore vendin e shkatërruar nga lufta. Forca mbrojtëse e Kosovës nën ndikimin e NATO-s ka qenë një sukses ekzemplar. Bazuar në këshillat dhe mbështetjen e trupave të KFOR forca e Kosovës paarritur të realizojë operacione të shkëlqyera. Janë përdorur këto mësime në rajon dhe më gjerë, në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit, sikurse kemi pritur shtetasit afganë në gushtin e vitit e kaluar, jemi përsëri të angazhuar që plotësojmë këtë mbështetje.
Jemi të qartë. Kërkojmë të anëtarësohemi në NATO. E kemi një gur themeli, kilometrik të rëndësishëm pjesëmarrjen dhe kërkesën tonë të qartë për të qenë anëtarë të NATO-s sepse është një organizatë që mbron jo vetëm paqen në rajon, por edhe në botë. Institucionet dhe populli i Kosovës kanë arsye të qenësishme për të qenë vigjilentë nga shqetësimet që po vijnë nga fqinjët veriorë. Qeveria e Kosovës siguron jetë të qetë për të gjithë qytetarët dhe pakicat e saj. Ju falënderoj mbi të gjitha për angazhimin tuaj për një stabilitet të qëndrueshëm:, tha Albin Kurti.
I pyetur nëse ka mundësi të zmbrapset nga hapi për të zbatuar vendimin për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se implementimi përbën veprim legal.
“Po zbatojmë diçka që është legale sipas ligjit dhe kushtetutës sonë, dhe diçka për të cilën është zotuar Serbia në dialogun e Brukselit. Nuk shohim rrugë tjetër dhe besoj se është në të mirën tonë të bëjmë legjitime gjërat në shtetin tonë”, është shprehur Kurti
Kurti është pyetur edhe nëse e pranon deklaratën se të dyja palët janë përgjegjëse për përshkallëzim të tensioneve.
“Në njërën anën kemi policinë e shtetit demokratik të Kosovës, dhe në anën tjetër kemi struktura ilegale serbe që janë kthyer në banda kriminale”.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, përshëndeti qëndrimin e Kosovës për dialogun me Serbinë.
Ai inkurajoi palët që ditën e nesërme të zhvillohet një dialog konstruktiv. Stoltenberg bëri të ditur se aktualisht në Kosovë ndodhen 3700 trupa të KFOR-it.
“KFOR ka më shumë se 3700 trupa të vendosur dhe jemi të angazhuar natyrisht me mbështetjen e aleatëve tanë, kemi mbështetjen logjistike të tyre. KFOR ka marrë përsipër që të mbrojë integritetin, sigurinë dhe paqen e popullit të Kosovës, por natyrisht që mbështetin edhe një dialog mes vendeve. Inkurajoj palët të kenë një dialog konstruktiv mes tyre në takimin e nesërm. Përshëndes dhe vlerësoj praninë e Albinit sot këtu që të gjejmë të përbashkëta për të gjetur rrugë për të mira të përbashkëta të komuniteteve”, tha Jens Stoltenberg.