Bota Kurti: Nëse ekonomia do të vazhdojë të rritet me 10%, i afrohemi...

Kurti: Nëse ekonomia do të vazhdojë të rritet me 10%, i afrohemi Kroacisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur ogurzeza paralajmërimet për rritje çmimesh. Sipas tij, rritja dyshifrore ekonomike është lajmi që i frikëson të gjithë armiqtë e Kosovës. Këto deklarata Kurti i bëri pas mbledhjes së qeverisë.

“Të gjitha këto paralajmërimet ogurzeza për rritje të çmimeve kanë efekte negative dhe kanë për synim prej dikujt edhe të ngjallin panik. Rritja ekonomike tek ne ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë shpresë e mendojnë të ardhmen më të mirë se të tashmen”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.

Ndërkaq, ai shtoi se të gjithë po i frikësohen rritjes ekonomike dyshifrore dhe se me këtë ritëm, Kosova mund t’i afrohet zhvillimit të Kroacisë.

“A e dini çfarë do të thotë nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje ekonomike prej 10 për qind? Ne do i afrohemi Kroacisë. Nëse vazhdojmë vit pas viti me këtë rritjen 10 për qind që është e pashembullt në Ballkan ne do t’i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së”, tha Kurti.

Pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua projektligji për buxhetin e vitit 2022, Kurti deklaroi se ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë do të bëhet.

Ai në këtë konferencë ka thënë se Kosova ka pranuar 1286 afganë, nga të cilët 528 tashmë janë larguar nga Kosova.