Kryesore Kurti nuk e priti në takim, Rama: Nuk kam fjalë për ta...

Kurti nuk e priti në takim, Rama: Nuk kam fjalë për ta shpjeguar. Pse e përmenda Kanunin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i habitur që nuk është pritur në takim nga homologu i Kosovës, Albin Kurti.

Rama se ka provuar që të kishte komunikim me Kurtin.

“Nuk kam ardhur të shpjegoj, ta interpretoj qëndrimin e Albinit. Gjëja me e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, të flasin, për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme. Duke u takuar mbase e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Kemi komunikuar, në fakt jam përpjekur të komunikoj, por ka qenë ë vështirë”, tha Rama Rubikon në Klan Kosova.

“Ka edhe keqkuptim sikur anulimi i mbledhjes së qeverive ka ardhur si rezultat i masave të BE. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Kam kërkuar me insistim nga Albini që të bëjmë një takim të dy bashkë sepse kam dashur t’i përcjell disa shqetësime dhe kam dashur ta lehtësoj pozicionin e Kosovës. Nuk ka qenë i mundur takimi, nuk e di pse. Albini ka qenë shumë i zënë, ka pasë punë të tjera, nuk e di!

Takimi nuk ka ndodhur. Nuk kam fjalë për ta interpretuar. Çfarë thike është që një mbledhje mes dy qeverish për marrëveshje të dakordësuara të mbahet kur ka gjëra të tjera më me rëndësi. Është e kundërta e thikës. Shtrirja e dorës për të qenë së bashku për ta kuptuar më shumë njëri-tjetrin. Nuk mund të bëhet me ato që dëgjojmë nga televizioni. Ideja që anulimi është thikë, qëndrimi i Kosovës është i duhur dhe gjithë bota e ka gabim. Nuk është kështu”.

Rama theksoi se këtë turne nëpër Ballkanin Perëndimor është duke u bërë për dy arsye: Mbajtja e Samitit të Procesit të Berlinit dhe Samiti i NATO-s.

“Është e habitshme se si kjo mundësi për vështirësohet në komunikim këtu në Kosovës, ndërkohë që Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për të dalë nga kjo situatë”.

Rama tha se ende s’ka asnjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës se a do të mbahet takimi me kryeministrin Kurti apo jo.

Ai tha se edhe në momentet sa po jepet intervista, kabineti i Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë.

“Por mua më shqetëson fakti që edhe tani që flasim, ne ende s’e kemi marrë një përgjigje zyrtare e serioze nga një shtet serioz që ia kërkon zyrtarisht dhe të përgjigjet zyrtarisht.

Nuk kemi asnjë përgjigje sepse s’kemi pasur mundësi të kemi përgjigje zyrtare. Të gjitha qeveritë e tjera janë përgjigjur siç e kemi bërë ne kërkesën. Edhe tani që flasim s’ka qenë e mundur të kontaktohet kabineti”, tha Rama në Rubikon në Klan Kosova.

Ai foli edhe për Kanunin, ku e përdori si shprehje gjatë një interviste në Maqedoni të Veriut sot gjatë ditës.

“Edhe ajo e kanunit nuk është pa vlerë, sepse është bazë e traditës tonë. Ne krenohemi gjithandej që “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Dhe kur thuhet “miku”, nuk thuhet vetëm miku që ti fton, por ai që troket në derë, të cilin ti mund mos ta njohësh ose edhe hasmi yt”.

“Dhe ti je i detyruar ta hapësh derën dhe ta presësh, pavarësisht se është një prani që t’i nuk e dëshiron dhe në këtë sens, edhe kaq mjafton për të mos krijuar shfaqje të tilla”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se Kurtit i ka bërë aq shumë kërkesa për takimin e sotëm sa “as në rininë time s’i kam shkuar mbrapa një Xhuljete indiferente me aq shumë kërkesa”.

Kurse, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Rama e quajti si “djalë simpatik shumë”, por sipas tij, ai “s’ka lidhje fare me këto tema”.

“Unë e kuptoj që do të thotë fjala “më ka ngelur hatri”, më ka ngelur hatri për mbledhjen e dy qeverive që u anulua, dhe tash si do ia bëjmë. Do ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin që do të bëjmë për kancelarinë në këto vizita dyditore?”, tha Rama.