Ka përfunduar pa një marrëveshje takimi i përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel, në prani të ndërmjetësuesve europianë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak.
Megjithatë, Kurti tha pas takimit se në bisedimet në Bruksel, palët u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian.
“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.
“Unë nuk kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.
I pyetur se pse në takimin në Bruksel nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje, Kurti tha se ishte Serbia që “nuk ishte e gatshme për të nënshkruar”.
“Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.
Sa i përket gatishmërisë së tij për të zbatuar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se për këtë ka folur më herët.
“Ai është neni 10, është fjalia e fundit e praktikisht nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”, tha ai për gazetarët në Bruksel.