Kryesore Kurti për draft-statutin e Ramës: T’ia propozojë Vuçiçit për shqiptarët në Preshevë,...

Kurti për draft-statutin e Ramës: T’ia propozojë Vuçiçit për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sot nga Prishtina për draft-propozimin për Asocacionin të homologut të tij, Edi Rama.

Kurti u shpreh se beson në atë draft dhe propozoi që atë Kryeministri Rama t’ia dorëzojë Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në takimin e radhës të “Open Ballkan”. Sipas Kurtit ky draft duhet t’i paraqitet Vuçiç nga Rama për shqiptarët në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë.

“Unë nuk kam marrë përgjigje ende nga zoti Borrel dhe besoj që së shpejti do të na përgjigjet me kërkesën që të kemi takim në Bruksel, jam konstruktiv, i përkushtuar sepse besoj që pa intensifikuar dialogun nuk ka zgjidhje. Ne e kemi marrëveshjen, ne na duhet të bëjëm një hap ashtu si Serbia duhet të bëjë një hap. Në takimin që kemi pasur në Ohër unë kam ofruar që ta shkruaj draft-statutin, nuk kam interes ti dominoj, përkundrazi jam Kryeministri dhe dua që ata të kenë mundësi të barabarta, por me atë rast kam kërkuar dakordim për parimet bazë sepse nuk mund të ballafaqojmë tekste e letra kur nuk ka dakordësi për frymën.

S’kam dyshim që Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama beson se propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu, krejt ça unë propozoj është që Kryeministri Rama t’ia prezantojë Presidentit Vuçiç në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur. Padyshim që kryeministri Rama beson se ky është një model i duhur, pra propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Rama, t’ia propozojë Beogradit për shqiptarët në Serbi, në Preshevë, Medvegjën dhe Bujanoc”, deklaroi Kurti.

Më herët, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se nuk e ka parë draft-propozimin e Ramës për Asocacionin e komunave me shumicë serbe dhe se nuk i intereson, pasi sipas tij kryeministri shqiptar nuk ka autorizim për një draft të tillë.