Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar planin e pesëshes së madhe euro-amerikane për ecur përpara për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.
Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”, thuhet në një deklaratë pas bisedës së Kurtit me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Kurti shton se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe e territorit. “Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thekson kryeministria.
Lajçak ishte i vetmi që foli pas takimit duke theksuar rëndësinë e rinisjes së negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi sipas tij “pa dialog, mund të ketë përsëritje të sulmeve të armatosura”.
Zyrtarët euro-amerikanë do ta vizitojnë edhe Serbinë gjatë ditës, ndërsa bënë thirrje për formimin pa vonesa të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.