Kosova Kurti: Radoiçiç po riorganizohet për sulme të reja ndaj Kosovës, paguan dy...

Kurti: Radoiçiç po riorganizohet për sulme të reja ndaj Kosovës, paguan dy mijë euro terroristët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë këtë të shtunë, ka dhënë detaje për përgatitjet e strukturave terroriste dhe paramilitare serbe, për sulme tjera në Kosovë, duke thënë se ato kanë lidhje direkte me strukturat e shtetit të Serbisë.

“Tashmë është e qartë që asnjë sulm nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilët janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë sipas interesave e planeve të tyre, e mbase edhe të Rusisë. Planet për sulme synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me aleatët tanë, po angazhohet për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim….terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika e Kosovës. Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë por i tillë është realiteti i fqinjit tonë, i cili paraqet edhe kërcenim për neve.

Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”, tha Kurti.