Politika Kurti: Rama nuk guxon ta thotë të vërtetën për Vuçiç

Kurti: Rama nuk guxon ta thotë të vërtetën për Vuçiç

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë konferencës së sotme për mediat deklaroi se ka qëndrime të ndryshme me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thotë se nuk i di motivet se përse nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai tha se Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bashkohet si komb gjersa kanë qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë. Sipas tij, këto dy shtete nuk e kanë luksin që të dallojnë me qëndrime sa i përket Beogradit.

“Ka kohë që me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Ramën ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përket presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort.

Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë, e cila është kundër nesh.

Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojmë sa i përket Beogradi”, tha ai.

Kurti u shpreh më tej se këto dallime vijnë si pasojë e qëndrimeve që ka kryeministri Rama ndaj presidentit të Serbisë, ku krimet e Serbisë mundohet t’i lokalizojë në figurën e Millosheviçit.

Më pas ai bëri thirrje Kuvendi i Shqipërisë ta miratojë rezolutën e gjenocidit të Serbisë.

“Mospajtimet tona vijnë nga ky dallim, dallimi thelbësor është qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë, për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizoj në figurën e Millosheviçit, kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptarë.

Andaj kryeministrit të Shqipërisë por edhe Kuvendit të Shqipërisë i bëj thirrje që, ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, rezolutën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Kurti.