Refuzimi i ftesës së Kryeministrit Kurti për të marrë pjesë në takimin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor cilësohet nga opozita si akt papërgjegjshmërie.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një status në rrjetet sociale shkruan se “fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë se sa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, shkruan Çitaku.
Edhe ish-ministri i Jashtëm Anton Berisha shkruan se “nuk besoj që ka patur e mund të ketë një Kryeministër kaq të papërgjegjshëm e kaq cinik, çfarë e ka Kosova aktualisht”, duke shtuar se Kurtit nuk i intereson bashkëpunimi mes shqiptarëve.
“Në Kretë, sipas qeverisë paska konferencë përderisa në Tiranë ka një drekë, prandaj më i mençuri i Kryeministrave të rajonit, Albin Kurti nuk humb kohë sikurse kolegët e tij! E vërteta, është se atij as nuk i intereson bashkëpunimi brenda shqiptarëve as nuk i intereson integrimi europian, prandaj me lehtësi refuzon takimin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit. Nuk besoj që ka patur e mund të ketë një Kryeministër kaq të papërgjegjshëm e kaq cinik, çfarë e ka Kosova aktualisht”.