Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj veprimit të presidentit Hashim Thaçi për të çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për të ndaluar qarkullimin e qytetarëve në disa fasha oraresh për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave pasi vetëm në këtë mënyë mund të arrihet mundja e këtij virusi.
“Mbrëmë, në mbledhjen e Qeverisë, morëm disa vendime të rëndësishme. Fillimisht votuam kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja për parandalimin e përhapjes së virusit Corona, kërkesë kjo e ardhur si rezultat direkt i rekomandimeve të bëra nga IKShPK. Ky vendimi ishte mbi ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve duke filluar nga sot prej orës 10:00 e deri në ora 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në ora 6:00. Pra, nga ora 6:00 deri në 10:00 dhe nga 16:00 deri në 20:00 mund të lëvizet e qarkullohet. Lëvizjet në rrugë mund të bëhen duke qenë vetëm dy persona dhe duke e mbajtur distancën dy metra me të tjerët. Rritja e të infektuarve është shtuar për 26 veta mbrëmë. Mund të rritet edhe më shumë, prandaj është e domosdoshme që të gjithë t’i ndjekim vendimet e Qeverisë dhe udhëzimet e profesionistëve”, shkruan Albin Kurti.
Nga ana tjetër presidenti Thaçi e konsideroi si antikushtetues këtë vendim të qeverisë dhe kërkoi pezullimin e tij për një kohë derisa Gjykata Kushtetuese të vlerësonte ligjshmërinë e tij.