Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkuar në Kroaci dhe ka parë nga afër të plagosurit kosovarë të aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së dielës pranë qytetit Brodi.
Duke folur për mediat jashtë spitalit, Kurti e konsideroi ngjarjen tepër të rëndë dhe falenderoi kryeministrin kroat Andrej Plenkovic për gatishmërinë që kishte treguar për të plagosurit kosovarë dhe për bashkëpunimin e ofruar.
“Vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spitalit përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe i falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit, por edhe profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe për angazhimin e pakursyer. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen gjatë Verës për pushime në vendlindje, dhe shteti ynë, ekonomia jonë, mirëqenia e tillë çfarë e kemi varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tejet e rëndë. E duke iu falënderuar përkujdesjes dhe solidaritetit këtu bashkë do t’ia dalim më kollaj dhe më shpejtë, prandaj edhe njëherë ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe faleminderit kryeministrit Plenkovic”, ka thënë Kurti.
Mëngjesin e sotëm, një autobus i nisur nga Gjermania me destinacion Kosovën humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur në një autostradë pranë qytetit Brodi në Kroaci. 10 pasagjerë humbën jetën në mesin e 69 udhëtarëve që ndodheshin në autobus.
Të gjithë janë shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Gjermani dhe po ktheheshin në vendlindje për pushime. Drejtuesi i autobusit është arrestuar dhe ka pranuar se e zuri gjumi dhe për këtë arsye humbi kontrollin mbi mjetin.