Bota Kurz: Vendimi i Ankarasë për hapjen e kufirit sulm ndaj BE-së

Kurz: Vendimi i Ankarasë për hapjen e kufirit sulm ndaj BE-së

Kancelari austriak, Sebastian Kurz e cilësoi sot vendimin e Ankarasë për hapjen e kufirit me Europën për refugjatët në territorin e saj si sulm të Turqisë kundër BE-së dhe Greqisë.

“Ky është një sulm i Turqisë kundër BE-së dhe Greqisë. Po përdoren qenie njerëzore për t’i bërë presion Europës”, deklaroi kreu konservator gjatë një konference për shtyp për situatën në Siri dhe në kufirin greko-turk.

Kurz theksoi se dëshiron që zyrtarët europianë t’i rezistojnë këtij veprimi të organizuar me vetëdije nga presidenti turk Erdogan, i cili, sipas tij, po i përdor azilkërkuesit si armë.

Lideri i së djathtës austriake e përshkroi situatën në kufirin greko-turk si një provë të vërtete për Europën dhe kërkoi forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së.