Pas Artan Didit, Haki Çakos, Ardi Veliut, Gledis Nanos dhe Muhamet Rrumbullakut kush do ta drejtojë Policinë e Shtetit me “vulën” e kryeministrit Edi Rama?
Në zbatim të procedurës së re, Komisioni i Posaçëm i ngritur për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm është gati për nisjen e fazës së intervistimit.
Të mërkurën në Ministrinë e Brendshme 11 kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e policisë së shtetit, ndërkohë që procedura e vlerësimit ka përfunduar.
Pas vlerësimit të performancës së tyre Komisioni i Posaçëm i përbërë nga zv.ministri i Brendshëm Besford Lamallari, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë Suzana Hoxha dhe kreu i AMP Florian Sulejamni do të vendosin pikë për secilin prej tyre.
Pas kësaj faze e cila do të zgjasë vetëm dy ditë, të premten ministri i Brendshëm pritet të dërgojë në zyrën e kryeministrit emrin e propozuar për drejtorin e ri të përgjithshëm të policisë.
Kandidatët më të përfolur janë Skënder Hitaj i Policisë së Durrësit, Ilir Proda i Elbasanit apo Altin Mena, nëndrejtori i Policisë së Lezhës.
Ndonëse mes emrave të tjerë ka drejtues me eksperiencë në Policinë e Shtetit, shumica prej tyre kanë mbajtur poste të larta për më shumë se 10 vite, ndërsa një kategori janë sprovuar në shumë drejtori të qarqeve.