Ekstradimi i Dritan Rexhepit, një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë, drejt vendit tonë duket se do të jetë një proces i komplikuar. Të premten, autoritetet shqiptare njoftuan se kishin nisur procedurat për të kërkuar ekstradimin e tij, duke i bashkëlidhur kërkesës dërguar autoriteteve turke edhe dënimet e dhëna nga drejtësia jonë.
Ndërkohë, Italia e cila luajti rolin kryesor në kapjen e 43-vjeçarit, gjithashtu është e interesuar për ta nxjerrë atë para drejtësisë. Me anë të një komunikimi zyrtar këtë të shtunë, Polica italiane bëri të ditur se edhe ajo kishte dorëzuar në Turqi kërkesën për ekstradim.
Konventa Evropiane e Ekstradimeve, në nenin 17 të saj, detyron shtetin që do të marrë një vendim në rastet kur ka dy kërkesa ekstradimi në të njëjtën kohë për një individ, të marrë parasysh pikë së pari se sa e rëndë është shkelja e kryer në secilin prej shteteve.
Shqipëria e ka dënuar Rexhepin për vrasje me 25 vjet burg, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh dhe e ka të pandehur si urdhërues të një rrëmbimi me pasojë vdekjen, si dhe trafik narkotikësh.
Nga ana tjetër, në Itali 43-vjeçari është dënuar për trafik narkotikësh me 16 vite burg dhe është i pandehur si drejtues i organizatës “Bello”, po për trafik narkotikësh.
Nisur nga veprat penale, Shqipëria duket e favorizuar nga përcaktimet e Konventes Europiane të Ekstradimeve.
Përtej kritereve që lidhen me rrezikshmërinë e veprave penale, një tjetër kriter shumë i rëndësishëm që duket se në këtë rast do të jetë vendimtar, është se cila kërkesë për ekstradim regjistrohet e para pranë autoriteteve turke.