Rezultati surprizë i raundit të dytë të zgjedhjeve legjislative në Francë, sipas sondazheve, e vendos Presidentin Emmanuel Macron mes dy zjarreve.
Me exit poll-et që i japin fitoren Frontit të Ri Popullor dhe nxjerrin Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen në vendin e tretë, pyetja është se kush do ta formojë dhe nga cilët do të përbëhet qeveria e ardhshme.
Në pallatin Elysse kanë nisur lëvizjet e para me një takim të Emmanuel Macron me kryeministrin Gabriel Attal dhe liderët e partive të shumicës në largim dhe po përflitet për një marrëveshje të përbashkët të të ashtuquajturit “front demokratik” i Francës për të nesërmen pas zgjedhjeve.
Por në krahun tjetër fituesi Jean-Luc Mélenchon, partia e të cilit del e para në exit polle e ka hedhur hapin e parë dhe i ka kërkuar Macron dorëheqjen e kryeministrit Gabriel Attal dhe një ftesë për formimin e qeverisë së re.
“Një valë e mrekullueshme e mobilizimit qytetar duket se ka fituar. Populli ynë ka përjashtuar qartë zgjidhjen më të keqe. Tubimi Kombëtar është larg marrjes së shumicës absolute. Macron duhet ta pranojë këtë disfatë. Kryeministri duhet të largohet. Ai kurrë nuk mori një votëbesim nga Asambleja Kombëtare, por një votë masive mosbesimi nga populli. Macron ka për detyrë të ftojë Frontin e Ri Popullor për të qeverisur”, tha ai.
Madje Mélenchon ishte edhe më i prerë kur shtoi se “asnjë kombinim tjetër nuk do të jetë i pranueshëm”, duke lënë topin në fushën e Presidentit.
“Duhet respektuar vullneti i popullit. Verdikti është i qartë: humbja e Macron është konfirmuar qartë”, nënvizoi ai duke theksuar se Fronti popullor “do të zbatojë programin e tij dhe vetëm programin e tij”.
Macron tashmë është në pozicionin e vështirë, ku duhet ose t’i japë liderit 72-vjeçar të së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon mandatin për të formuar qeverinë dhe të bashkëpunojë me të, ose t’ia kalojë stafetën liderit 28-vjeçar të së djathtës ekstreme, Jourdan Bardela, teksa për të dy rivalët ka deklaruar më herët se as nuk e çon nëpër mend që të bashkëpunojë për të ndërtuar kabinetin që do të qeverisë Francën.
“Fakti që ne tërhoqëm shumë kandidatë në mënyrë që e djathta ekstreme të mos marrë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare nuk do të thotë se ne synojmë të bëjmë aleancë me të majtën”, ka thënë presidenti francez.
Ndërkohë, disfatën shokuese e ka pranuar vetë Bardela, në një deklaratë para mbështetësve të Tubimit Kombëtar, ku nuk mungonte zhgënjimi.
“Franca është tani në duart e së majtës ekstreme. Ne do të jemi në anën e popullit francez”, tha Bardela.
Ndërkohë nga kampi i makronistëve, reagimi i parë ishte për të nënvizuar se “blloku qeverisës nuk ka vdekur”.
“Fronti qeveritar është këtu, edhe pas 7 vitesh në pushtet”, komentoi Elysse. Enturazhi i Macron i tha BFMTV se “çështja do të jetë nëse mund të formohet një koalicion koheziv, duke arritur në 289 deputetë”.
Nga Elysee sakaq kanë njoftuar se Emmanuel Macron nuk do të bëjë deklarata pas rezultateve të zgjedhjeve, edhe pse shpëtoi nga një goditje historike duke dalë në vendin e dytë, kur të gjitha sondazhet e tregonin të tretin.