Kryesore Kush do të negociojë me Greqinë? Kërkesës për plotfuqinë i mungojnë emrat...

Kush do të negociojë me Greqinë? Kërkesës për plotfuqinë i mungojnë emrat e negociatorëve

Mësohet se letra e dërguar nga ministri Bushati për Presidentin Meta, ku i kërkon autorizimin për plotfuqinë e ekipit negociator me Greqinë, nuk përmban asnjë emër.

Burimet për Top Channel e cilësuan plotfuqinë në këto kushte po aq të pamundur sa një akt noterial pa emër. Ndaj pyetja shtrohet si do të veprojë presidenti?

Ajo që njihet si “plotfuqia” që kreu i shtetit i jep një grupi që negocion një marrëveshje ndërshtetërore, është në fakt një autorizim për ministrin e punëve të jashtme. Forma fizike e këtij autorizimi është një letër me kokë e institucionit të presidentit të republikës, ku renditen të gjithë anëtarët e delegacionit, emër-mbiemër dhe funksionet e tyre.

Letra e autorizimit përmban emërtimin e saktë të marrëveshjes, pra titullin e saj, objektin e saktë të negociatës dhe metodologjinë që do të përdoret. Negociatorët duhet të jenë persona me certifikatë sigurie që lëshohet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me integritet moral dhe të njohur për aftësi në fushat e tyre të ekspertizës.

Çështja është se kërkesa e mbërritur në presidencë nga ministri Bushti nuk përmban emra. Burimet i thanë Top Channel se kërkesa prej 4 faqesh e ministrit Bushati për Presidentin nuk ka asnjë emër negociatori. Ndaj natyrshëm shtrohet pyetja, a do ta japë presidenti autorizimin e tij? Burimet e cilësuan autorizimin në këto kushte, si një akt noterial pa emër.

Kushtetuta i njeh të drejtën presidentit të republikës si kreu i shtetit që të marrë vetë kryesimin e një negociate. Por në praktikën ndërkombëtare kreu i shtetit e delegon këtë të drejtë. Mirëpo në momentin që delegacioni merr plotfuqinë, çdo anëtar i delegacioni, pavarësisht rangut, konsiderohet se negocion në emër të presidentit.

Dhe rasti me Greqinë, përveç mungesës së emrave të ekipit negociator, ka një tjetër specifikë: kompleksitetin e çështjes. Shqipëria me Greqinë kanë mbi 200 pika takimi në kufirin detar, për shkak të thyerjes së vijës bregdetare.

Kur Shqipëria negocioi paktin detar me Italinë, kishte vetëm 15 pika takimi. Ekipi negociator italian kishte 24 persona, kurse Shqipëria vetëm 10. Negociatat filluan në vitin 83 dhe marrëveshja u firmos në vitin 91 për të hyrë në fuqi në vitin 94.

Negociatat u ndërprenë vetëm 2 vjet pasi familja Popa hyri në ambasadën italiane në dhjetor të 85-ës, kurse përgjatë 7 vjetëve të tjera u zhvilluan negociata të rregullta.

Në këto kushte, kur pikat e kontaktit në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë 13 herë më të shumta se ato me Italinë, a do të mund të mbyllen këto negociata për 2 muaj? Në çdo rast, nëse gjatë bisedimeve do të duhet të shtohet ose të hiqet diçka nga objekti për të cilin është kërkuar plotfuqia, ministri i jashtëm duhet të rikthehet te presidenti për të marrë një tjetër autorizim. Kjo theksohet edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.