Rikthimi i basteve sportive, disa vite pas mbylljes së bujshme të tyre, pritet që të forcojë sërish segmente të ndryshme të biznesit, që do të marrin licencën për këto aktivitete.
Një prej personazheve më të njohur të lojërave të fatit në Shqipëri, ka qenë padyshim Ervis Martinaj, i cili prej afro 1 viti e gjysmë rezulton i zhdukur. Për gazetarin e kronikës, Artan Hoxha, dhe organizata e tij në terren është e shpërbërë, pikërisht për shkak të goditjes që ka marrë me zhdukjen e tij.
I ftuar në një intervistë për Euronews se do të bëhet një rishpërndarje e atyre që do të drejtojnë bizneset e basteve në Shqipëri, të cilat dikur drejtoheshin kryesisht nga grupi i Martinajt.
“Edhe mediat janë fokusuar më tepër te pjesa se çfarë ndodhi me Ervis Martinaj. Kurbini heton çështjen për rrëmbimin, zhdukjen dhe eliminimin fizik të Ervis Martinaj, ndërkohë SPKA-u e ka nën hetim për disa procese të nisura nga “Plumbi i artë”, një strukturë heton sikur ai është gjallë, tjetra heton sikur ai është dëmtuar vetë.
E rëndësishme është situata në terren. Në terren një nga operatorët më të rëndësishëm të 10 viteve të fundit është tashmë jashtë loje. Kjo dëshmohet qartë. Ky operator, kjo organizatë, është shpërbërë.
Jemi në fazën ku ligji për lojërat e fatit sapo hyn në veprim dhe tashmë do të bëhet një rishpërndarje e re e asaj që edhe kur ishte e legalizuar edhe kur ishte e paligjshme, kontrollohej një pjesë e mirë nga kjo organizatë që drejtohej nga Ervis Martinaj. Unë besoj për të shpjeguar një pjesë të mirë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë duhet të nisemi nga këto që nuk i kemi zbuluar dot”, tha Artan Hoxha.