Bashkia e Lezhës me shtrirjen aktuale ka votuar vazhdimisht demokratët në zgjedhje, ndërsa qyteti i Lezhës ka ndryshuar krah dhe është qeverisur më shumë nga LSI.
Nga Gjergj Erebara – BIRN
Në zgjedhjet e vitit 2007, Viktor Tushaj, një biznesmen fitoi zgjedhjet në bashkinë e qytetit të Lezhës përballë demokratëve, pasi garoi në emër të një koalicioni ku në atë kohë bënin pjesë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Tushaj e përsëriti suksesin në vitin 2011, kësaj here me rezultat shumë të ngushtë, kur garoi sërish në emër të LSI, e cila ishte bërë pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike.
Tushaj doli me sukses në zgjedhjet e vitit 2015, kur partia e tij ishte bërë pjesë e koalicionit të PS-së, së paku për votimin në qytetin e Lezhës, por kundërshtari i tij, Fran Frrokaj, një kryekomunar jetëgjatë i Shënkollit, arriti të fitojë me shumicë dërrmuese pjesën më të madhe të ish-komunave në këtë bashki, ku qyteti zë vetëm 28% të votuesve.
Socialistët fituan bashkinë Lezhë në zgjedhjet njëpartiake të vitit 2019 me ish-zyrtarin e policisë, Pjerin Ndreu. Ndreu po garon kësaj here për një mandat të dytë, ndërsa përballë tij është një mjek i qytetit, Pashk Gjoni. Ky i fundit ka punuar në spitalin e qytetit prej njëzet e pesë vitesh.
Në vitin 2021, rezultati për socialistët ishte katastrofik. PD fitoi 43% të votave dhe LSI 10%, duke lënë socialistët me 43%. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, më 2021 edhe qyteti i Lezhës i dha shumë më pak vota socialistëve nga sa u dha dy partive të koalicionit opozitar aktual, PD dhe LSI.
Bashkia e Lezhës ka 90 mijë votues këtë vit dhe numri i votuesve është rritur në mënyrë të vazhdueshme përgjatë dekadës së fundit. Në zgjedhjet e vitit 2011, në territorin aktual të bashkisë Lezhë kishte 75 mijë votues të regjistruar.
Por ndërsa votuesit e regjistruar janë shtuar, pjesëmarrja në votime ka shënuar rënie të konsiderueshme. Në vitin 2021, pjesëmarrja ishte vetëm 43% nga 29% që ishte në zgjedhjet e viteve 2011 dhe 2015. Votuesit i janë pakësuar të dy blloqeve të mëdha të politikës, por për socialistët, rënia është shumë më e madhe se sa për demokratët.
Lezha është një bashki që shtrihet nga bregu i detit deri në male, në një nga zonat më pjellore të vendit sa i përket bujqësisë. Turizmi bregdetar është i zhvilluar përreth qytetit të Shëngjinit si dhe në ish-Komunën Shënkoll, të njohur më së shumti si Plazhi i Tales. Turizmi i natyrës gjendet në zonën kënetore të Ishull-Lezhës.
Kjo bashki përbëhet nga 10 njësi administrative, të cilat janë: Lezha, Shëngjini, Zejmeni, Shënkolli, Balldreni, Kallmeti, Blinishti, Dajçi, Ungreji dhe Kolshi.