Aktualitet Kush e vrau 22-vjeçarin Armend Xhika në Britani

Kush e vrau 22-vjeçarin Armend Xhika në Britani

Luigi Antonacci është personi që është akuzuar zyrtarisht në lidhje vrasjen e 22-vjeçarit Armend Xhika në Britaninë e Madhe. Antonacci, 24 vjeç, u vu në pranga të premten. Sipas BBC, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë do të dalë para Gjykatës së Kurorës në Sheffield më 22 Qershor. Policia ka njoftuar se ka liruar një 21-vjeçare, e cili u vu në pranga po të premten. Megjithatë për të renë vazhdojnë hetimet për shkak të dyshimeve se mund të ketë ndihmuar autorin e vrasjes.

Armend Xhika ndërroi jetë si pasojë e një sherri që ndodhi në rrugën Earl Marshal në Burngreave. Ai u dërgua në spital, por nuk u mbijetoi dot plagëve dhe ndërroi jetë aty. Si pasojë e sherrit me thika, ishte lënduar edhe një shqiptar tjetër, identiteti i të cilit nuk u bë publik. Pas kësaj ngjarje të rëndë, mediat britanike raportuan për arrestimin e të paktën 5 personave, të cilët më pas lanë qelinë për t’u hetuar në gjendje të lirë.

Xhika, kishte shkuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar që në moshën 19-vjeçare dhe kishte nisur jetën në Sheffield ku mendohet se jetonte edhe e motra. Por gjithçka do t’i ndërpritej në mes nga ai sherr me thika. Siç rrëfeu miku i tij, Armendi bënte disa punë të ndryshme për të përballuar shpenzimet.

Ndërkohë, autoritetet britanike pavarësisht se ka kaluar më shumë se 1 vit nga vrasja e shqiptarit duket se nuk e kanë kopsitur siç duhet dosjen ndaj autorëve që e shkaktuan ngjarjen. Telegraph & Argus shkruan se oficerët janë të interesuar të dëgjojnë nga çdo njeri i cili ka informacione që mund t’i ndihmojë ata që të lidhin bashkë rrethanat në vdekjen e Xhikës.