Jan Prenga nga Kamza u mor peng më 17 janar dhe u vra. Trupi i tij rezulton i zhdukur, ndërsa policia ka arrestuar 5 persona në Shijak, pjesëtarë të familjes Hajri, të dyshuar për ngjarjen e rëndë. Sipas hetuesve Prenga u mor peng për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ndërmjet vëllait të tij dhe bosit të drogës, Altin Hajri.
Por kush është Altin Hajri, si i shpëtoi drejtësisë?
Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar sonte në “Byro Politike” në Abc Neës ka zbardhur skedën e këtij personi që dyshohet se ka trafikuar deri në 1 ton drogë, por nuk është vënë në pranga, madje emri i tij u fshi nga faqja e Interpolit.
Hoxha deklaroi se Altin Hajri kishte mbështetje të fortë politike.
“Jan Prenga nuk është emër i ekspozuar për autoritetet tona, ndërsa familja Hajri ka patur avantazh se nuk ka qenë i ekspozuar në ngjarje me pengmarrje, por ka histori të gjatë në trafikun e lëndëve narkotike. Është një nga emrat që italianët e kanë mbajtur në mbikqyrje. Altin Hajri është shpallur në kërkim, pasi janë kapur mbi 1 ton lëndë narkotike. Ky e merrte vetë në Afganistan dhe e shpërndante në Itali, por çuditërisht nuk u kap dhe u hoq kërkimi ndërkombëtar. Kishim fushatën e zgjedhjeve të 2017, kemi parë përgjime të shumë personazheve të botës së krimit dhe lidhjet me politikën. Grupi Hajri ka qenë i përfshirë në koalicionin me një nga partitë që qeverisnin vendin. Policia e Shtetit në atë kohë ka kërkuar të veprojë, por ka patur pengesa, Adriatik Llalla ishte në atë kohë Prokuror i vendit
Para fushatës elektorale, Policia e Shtetit ka bërë një operacion, ka ndodhur një ngjarje më shkëmbin zjarri në Shijak, pas vëzhgimeve policia ka organizuar arrestimin e tij në mënyrë sekrete dhe e kanë prangosur. Vetëm disa orë më vonë është ndërhyrë dhe është kërkuar që ky person të lirohet, më vonë është shkarkuar drejtori i policisë.
Këta nuk janë njerëz që kanë dalë papritur, ky grup është fuqizuar kaq shumë sepse ka patur mbrojtje politike. Të rrëmbesh një person në mes të Kamzës gjatë ditës dhe ta zhdukësh atë, e të mos gjendet as gjurmë e asgjë, e bën dikush që është i sigurt që nuk do të ndiqet”, tha gazetari.
Më tej Hoxha theksoi ky është arrestuar në 2017, por mbështetja politike është aq e madhe sa u lirua. “Ky që ne i themi bosi i krimit, 5 djem të policisë e marrin atë bosin dhe e zvarrisin. Edhe pse me gjithë këmbënguljen e Policisë së Durrësit ai është liruar shumë shpejt”, tha Hoxha.