Edith Harxhi është zyrtarisht rivalja e dytë e Lulzim Bashës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 13 qershor.
Por kush është Edith Harxhi?
Ajo ka studiuar në Universitetin e Edinburgut, Britani e Madhe dhe është diplomuar me Bachelor of Arts në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Edith Harxhi drejton organizatën “think tank” të pavarur “Albanian Policy Center”, e cila merret me hartimin e politikave, analizave dhe kërkimeve mbi çështjet ndërkombëtare, politikën e jashtme dhe qeverisjen shqiptare, sigurinë dhe marrëdhëniet midis vendeve të Evropës Juglindore dhe marrëdhëniet e tyre evropiane dhe trans-Atlantike.
Në vitet 2005-2013, ajo ka shërbyer si zëvendësministre e Jashtme. Ndërsa mbante këtë post, ajo ishte përgjegjësi për diplomacinë shumëpalëshe dhe marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, si me NATO-n dhe procesin e integrimit. Gjithashtu, ishte përqendruar edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera të Europës Juglindore dhe shqiptarët e rajonit. Harxhi ka qenë e dërguara speciale e qeverisë shqiptare në shumë kryeqytete të botës dhe organizata ndërkombëtare me qëllim që të lobonte për pavarësinë e Kosovës.
Nga viti 2003 deri në vitin 2005 ajo ka punuar si këshilltare ndërkombëtare e UNDP-së, duke këshilluar Kryeministrin e Kosovës për çështjet e sigurisë dhe krijimin e Zyrës së Sigurisë Publike. Ajo gjithashtu shërbeu në Zyrën e UNMIK-ut për Çështje Gjinore dhe bashkëhartoi në partneritet me grupet e grave nga parlamenti dhe shoqëria civile, Ligjin e parë të Barazisë Gjinore të Kosovës.
Zonja Harxhi flet rrjedhshëm anglisht, turqisht, italisht, si dhe frëngjisht.
Teksa shpalli kandidaturën për kryetarin e Partisë Demokratike, Harxhi u shpreh: “Duhet të jetë një garë e hapur, transparente dhe e barabartë. Deri tani nuk është një garë e tillë. Shpresojmë shumë që PD-ja të rikthehet në vlerat që ka pasur, të konkurrencës së barabartë dhe të transparencës”, tha zonja Harxhi. “Ky është një moment mjaft i vështirë për Shqipërinë, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit. Dhe mendojmë që ajo që ofroj unë dhe ne si grup është një reformim i thellë i PD-së mbi idealet e vitit 1990-91, PD ka nevojë për një fillim të ri sa më parë”.
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike do të mbahen më 13 qershor.