Bota Kush është gruaja që po sfidon Salvinin?

Kush është gruaja që po sfidon Salvinin?

Carola Rackete

Për ministrin e Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini ajo është kriminele: Kapitenia gjermane, Carola Rackete rrezikohet të marrë dënime të rënda, sepse shpëtoi jetën e 42 refugjatëve. Çfarë e shtyn atë?

Helena Kaschel*

“Unë kam vendosur të hyj në portin e Lampedusës. E di se çfarë rrezikoj, por 42 të mbijetuarit janë të rraskapitur dhe duhet t’i çoj në një vend të sigurt.” Këto fjalë të Carola Rackete-it i përhapi të mërkurën përmes Twitter-it shoqata gjermane Sea-Watch e ato ishin kulmimi i një lufte nervash, në të cilën Ministri i Punëve të Brendshme i Italisë, djathtisti dhe shefi i Lega-s, Matteo Salvini, do ta quante 31-vjeçaren ndër të tjera edhe “shitmendëse” dhe kriminele. Që atëherë, gjermania nga Saksonia e Ulët do bëhej e njohur anembanë botës.

Rackete nuk është kapitenia e parë e një anije gjermane që fiton famë ndërkombëtare. Një muaj më parë, Claus-Peter REISCH, i cili në korrik 2018 me anijen “Lifeline” kishte nxjerrë nga ujërat e Mesdheut mbi 230 refugjatë, u dënua në Maltë me një gjobë prej 10 000 euro. Një tjetër gjermane nga qyteti i Bonit, Pia Klemp, e cila me anijet “Luventa” dhe “Sea-Watch 3” u ka shpëtuar jetën mijëra njerëzve është në procedim penal në Itali dhe rrezikon të dënohet me deri në 20 vjet burg.

Sikurse Reisch dhe Klemp, edhe Rackete pritet të përballet tani me ndjekje penale. Sepse, megjithëse qeveria e Romës ia kishte ndaluar të hynte në ujërat territoriale të Italisë, “Sea-Watch 3” hyri pasi ishte vërtitur për dy javë rresht në Mesdhe. Tani pritet të dënohet me 50 000 Euro gjobë, sipas një ligji të ri dhe të paditet si lehtësuese e imigrimit ilegal. Përveç kësaj, anija mund të konfiskohet, siç kërcënoi Salvini në Twitter.

Të rraskapitur – anija “Sea Whatch 3” shpëtoi jetën e 42 refugjatëve në ujërat e Libisë

 

Të martën në mbrëmje, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e kishte refuzuar kërkesën urgjente të ekuipazhit për të ankoruar në Itali. Sipas Rackete-s, situata në bord ishte shumë dëshpëruese. Disa imigrantë kishin dashur të hidheshin nga anija. Ndërkohë dy prej tyre ishin dërguar me shpejtësi në tokë për t’u trajtuar si “raste urgjente”. Aktualisht “Sea-Watch 3” ndodhet në afërsi të portit të Lampedusës.

“Ndiej një detyrim moral”

Cila është gruaja që u përfshi në luftën e rrezikshme me qeverinë italiane, si Davidi kundër Goliatit? Rackete, prej vitit 2018 kapitene e “Sea-Watch 3”, është prej katër vjetësh aktiviste e organizatës. Më parë kapitenia punonte si hulumtuese polare dhe detare në Institutin “Alfred Wegener” në Ormskrik të Anglisë. Ajo ka kryer një trajnim si oficere detare dhe një master në “Conservation Management” (menaxhim konservimi) në Universitetin Edge Hill. Ajo ka qenë edhe aktiviste e organizatës ambientaliste “Greenpeace”.

Imazhi që del nga raportimet e medias mbi Rackete tregon se nuk kemi të bëjmë me një person që dëshiron të perceptohet si kundërshtare personale e Salvinit. “Kundërshtari i tij këtu është e gjithë shoqëria civile”, ka thënë kapitenia për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA. Këtu janë në pyetje “të drejtat e njeriut”, ka thënë Rackete. Ajo më tej ka thënë se është përgjegjëse për të mbijetuarit, dhe ata nuk mund ta përballojnë më gjendjen e këtushme. “Jeta e tyre është para çdo loje politike“, i tha ajo gazetës italiane, “La Repubblica”.

Dëshira e Rackete-s për të ndihmuar njerëzit në nevojë rezulton, siç thotë ajo, nga rrethanat relativisht të privilegjuara në të cilat jeton ajo. “Unë jam me lëkurë të bardhë, kam lindur në një vend të pasur, kam pasaportën e duhur, më është lejuar të studioja në tri universitete dhe e mora diplomën kur isha 23 vjeçe, i ka thënë ajo gazetës “La Repubblica”. “Ndiej një detyrim moral për të ndihmuar ata njerëz që nuk kanë kushtet si të miat.

“Heroinë apo kriminele”?

Për angazhimin e saj Rackete është lëvduar, por edhe është anatemuar si “kriminele” – jo vetëm nga Salvini. Ministri italian i Bujqësisë, Gian Marco Centinaio, e akuzoi atë se i trajtonte italianët si “idiotë katundi”.

Ndërsa për Salvnin kapitenia gjermane është kriminele, për shumë të tjerë ajo është heroinë. Udhëheqësja e partisë së krahut të djathtë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni, kërkoi që “Sea-Watch 3” të “fundosej”. Për politikanët majtistë në Itali, nga ana tjetër, Rackete është një “grua e guximshme” dhe “shpresëdhënëse për një botë më njerëzore”.

Përveç shumë politikanëve të majtë në Gjermani, ajo është mbështetur edhe nga prezantuesi i njohur televiziv gjerman, Jan Böhmermann, i cili po mbledh donacione për të përballuar shpenzimet e procesit gjyqësor. Deri të dielën në mbrëmje, 30.06. ishin mbledhur 500 mijë Euro.

Megjithë vendosmërinë dhe inkurajimin që merr nga jashtë, Rackete e ndien qartë presionin mbi vete. Ajo tha se kishte qenë e detyruar ta bënte këtë veprim të saj. “Ne me të vërtetë u përpoqëm shumë dhe kërkuam një zgjidhje politike. Asgjë nuk ishte e mundur“, tha ajo në një intervistë me “Jetzt”, revistën e re online të Süddeutsche Zeitung.

Situata aktuale është “një ngarkesë e madhe”. Si ajo, ashtu edhe të tjerët në anije, janë të rraskapitur. Të gjithë të mbijetuarit janë të traumatizuar dhe vështirë të parashikohet se ç’do të ndodhë nëse situata del nga dora. Është tepër zhgënjyese që shteti italian nuk po bën asgjë.”

Edhe Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, e ka kritikuar Italinë për arrestimin e kapitenes. Në intervistën verore të kanalit të dytë publik gjerman, ZDF, ai tha se “Italia nuk është një shtet dosido. Është në mes të Bashkimit Evropian, është një shtet bashkëthemelues i BE-së. Prandaj ne nga një vend si Italia presim që ta trajtojë ndryshe një rast të tillë”, tha Steinmeier.

*DW