Sulmet me dronë dhe raketa ndaj anijeve të mallrave në Detin e Kuq kanë nxitur forcat e udhëhequra nga SHBA dhe Britania e Madhe të nisin sulme ajrore kundër objektivave në rajon.
Forcat perëndimore po reagojnë ushtarakisht pasi anije tregtare u sulmuan nga Houthi, një grup rebel i mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Jemenit.
Presidenti Biden tha se forcat ushtarake amerikane dhe britanike kishin kryer me sukses sulme të premten herët kundër objektivave Houthi me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës.
Më shumë se 12 vende, duke përfshirë kryeqytetin Sana’a dhe Hudaydah, një port i Detit të Kuq i kontrolluar fuqimisht nga Houthi, u vunë në shënjestër. Objektivat Houthi në Jemen përfshinin qendra logjistike, sisteme anti-ajrore dhe depo armësh.
Këto sulme perëndimore në Lindjen e Mesme vijnë pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
Houthi-t kanë shprehur mbështetje për Hamasin dhe kanë thënë se do të synojnë çdo anije që udhëton drejt Izraelit. Por nuk është e qartë nëse të gjitha anijet e sulmuara ishin nisur për atje.
Në nëntor, ata kapën një anije që pretendonin se ishte një anije mallrash izraelite.
Që atëherë, ata kanë sulmuar disa anije tregtare me dronë dhe raketa balistike.
Sulmet Houthi në Detin e Kuq u rritën me 500 për qind midis nëntorit dhe dhjetorit. Kërcënimi është bërë aq i madh saqë kompanitë e mëdha të transportit kanë ndaluar lundrimin në rajon dhe kostot e sigurimit janë rritur dhjetëfish që nga fillimi i dhjetorit.
Firmat e mëdha të transportit si Mediterranean Shipping Company, Maersk, Hapag-Lloyd dhe kompania e naftës BP kanë thënë të gjitha se po nxjerrin anijet nga Deti i Kuq.
Frika është se çmimet e karburanteve do të rriten dhe zinxhirët e furnizimit do të dëmtohen. Pothuajse 15 për qind e tregtisë globale detare kalon përmes Detit të Kuq, i cili lidhet me Mesdheun nëpërmjet Kanalit të Suezit dhe rrugës më të shkurtër ujore midis Evropës dhe Azisë.
Uashingtoni akuzon Iranin se është “thellësisht i përfshirë” në planifikimin e operacioneve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Kush janë Houthi-t?
Houthi janë një grup i armatosur nga një nën-sekt i pakicës muslimane shiite të Jemenit, Zaidi. Ata u emëruan sipas themeluesit të lëvizjes, Hussein al Houthi.
Grupi u formua në vitet 1990 për të luftuar atë që ata e panë si korrupsionin e presidentit të atëhershëm Ali Abdullah Saleh.
Presidenti Saleh, i mbështetur nga ushtria e Arabisë Saudite, u përpoq të eliminonte rebelët Houthi në vitin 2003, por Houthi-t zmbrapsën sulmin e tyre.
Rebelët Houthi kanë zhvilluar një luftë civile që nga viti 2014 kundër qeverisë jemenase. Houthi-t po luftohen nga një koalicion i vendeve arabe të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Deri në fillim të vitit 2022, lufta kishte shkaktuar rreth 377,000 vdekje dhe kishte zhvendosur katër milionë njerëz, sipas OKB-së.
Houthi-t deklarojnë se janë pjesë e një “boshti të rezistencës” të udhëhequr nga Irani kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit më gjerë, së bashku me Hamasin dhe Hezbollahun.
Rebelët Houthi marrin si model Hezbollahun e Libanit. Hezbollahu u ka ofruar atyre ekspertizë dhe trajnime të gjera ushtarake që nga viti 2014, sipas një instituti amerikan.
Houthi gjithashtu e konsiderojnë Iranin një aleat sepse Arabia Saudite është armiku i tyre i përbashkët.
Irani dyshohet se i furnizon Houthi-t me armë dhe SHBA pretendon se mbështetja e inteligjencës iraniane është kritike për aftësinë e tyre për të synuar anijet.
“Ne e dimë se Irani është thellësisht i përfshirë në planifikimin e operacioneve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq”, tha Adrienne Watson, një zëdhënëse e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Por Irani mohon përfshirjen në sulmet Houthi në Detin e Kuq.
Huthi kanë gjuajtur dhjetëra mijëra raketa me rreze të shkurtër veprimi në Arabinë Saudite dhe gjithashtu kanë sulmuar objektiva në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata gjithashtu kanë gjuajtur raketa balistike dhe drone në Izrael që nga fillimi i luftës në Gaza.
Qeveria zyrtare e Jemenit është Këshilli Presidencial i udhëhequr nga Presidenti Abdrabbuh Mansour Hadi i cili transferoi kompetencat e tij në prill 2022.
Megjithatë, qeveria është e vendosur në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, pasi Hadi u arratis atje në 2015.
Shumica e popullsisë jemenase jeton në zonat e kontrolluara nga Houthi. Përveç Sana’a dhe pjesës veriore të Jemenit, rebelët Houthi kontrollojnë bregun e Detit të Kuq.
Grupi mbledh taksa dhe gjithashtu printon para.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së deklaroi se Houthi-t kishin nga 100,000 deri në 120,000 ndjekës deri në vitin 2010, të përbërë nga trupa të armatosur dhe mbështetës të paarmatosur, shkruan BBC.