Kryesore Kush është Hoyt Brian Yee, “buldozeri” amerikan që do negociojë krizën politike...

Kush është Hoyt Brian Yee, “buldozeri” amerikan që do negociojë krizën politike në Tiranë

Kriza politike në Tiranë ka detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit të dërgojë në Shqipëri ditën e hëne, Zv/Ndihmës Sekretarin Amerikan për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, me qëllim gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes krerëve politikë.

Një ekspert i çështjeve ndërkombëtare, Yee, i njohur ndryshe si “Buldozeri”, është një njohës shumë i mirë i çështjeve të Ballkanit, pasi ka shërbyer në disa misione në këto vende.

Karriera

Hoyt Brian Yee i përket zyrtarëve veteranë të Departamentit që u rekrutuan në fund të viteve ‘80 nga përbërje etnike të ndryshme.

Njeriu që për ironi të fatit ka tiparet e Lu-së, është një diplomat i Departamentit të Shtetit që e njeh Ballkanin më mirë se askush.

Hoyt Yee e ka filluar “gavetën” në karrierën e tij diplomatike duke punuar me dy “elefantë” të diplomacisë botërore: Havier Solana dhe Richard Holbrooke.

Yee ka qenë asistent i Havier Solanas, kur ky i fundit ishte Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe njëkohësisht ishte asistent i Holbrooke, në kohën kur superdiplomati i ndjerë ndoqi negociatat për të arritur Marrëveshjen e Dayton-it për Bosnjën dhe marrëveshjen me Millosheviçin për të tërhequr ushtrinë e policinë nga Kosova, që më pas përfundoi me bombardimet e vitit 1999.

Hoyt BrianYee ka qenë prezent në të gjithë evenimentet më të rëndësishme ballkanike, natyrisht në prapaskenë.

Ndërkohë që dhe pas çlirimit të Kosovës, Hoyt Yee, dërgohet në Ballkan për të përgatitur fazën e dytë të operacionit amerikan.

Emërohet si përfaqësues i SHAB në Podgoricë nga viti 2000 deri në 2002, duke përgatitur pavarësinë e më pas anëtarësimin në NATO të këtij vendi ballkanik.

Studenti i shkëlqyer i Berkley-t të California University, dhe i doktoruar në Georgetown të Uashingtonit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dërgohet nga shefat e mëdhenj të DASH-it në Afganistan për të ndihmuar qeverinë vendase të rindërtojë vendin pas largimit të talebanëve.

Por përpara se të shkojë në Kabul, Yee futi në CV edhe një eksperiencë të rëndësishme ballkanike për ta mësuar në kompleks rajonin.

Ka shërbyer nga 2006-a deri në vitin 2009 si Konsull i Përgjithshëm i SHBA në Selanik.

Në vitin 2010 emërohet sërish në Ballkan, në një vend të NATO-s tashmë si Kroacia dhe aleat i rëndësishëm i SHBA. Nga viti 2010 deri në 2013, Yee punon si Zv.ambasador i SHBA në Zagreb dhe më pas thirret në Uashington ku i jepet detyra e lartë e kreut të Departamentit të Euroazisë, post që e ka pasur një “peshë e rëndë diplomatike” si zonja Victoria Nuland, diplomate me autoritet të rëndësishëm.

Por Yee, ndryshe nga Nuland është një njohës perfekt i të gjitha zhvillimeve në rajon dhe i njeh aktorët politik në vendet e Ballkanit, më shumë se xhepat e tij.

Asnjë deklaratë apo truk që shpesh përdoret nga politikanët ballkanikë nuk pi ujë me diplomatin që ka harxhuar 27 vite të karrierës së tij duke punuar për këtë rajon.

Është natyrisht njeriu me kompetent në Departamentin e Shtetit për Ballkanin dhe sipas gjasave fjala e tij ka peshë mjaft të madhe tek Sekretari Rex Tillerson.

Ishte ministri i Donald Trump-it që i kërkoi personalisht Yee-së që të marrë në dorë departamentin e rëndësishëm të Euroazisë pas dorëheqjes se bujshme të Victoria Nuland-it.