Kamala Harris theu një nga tavanet e qelqta më të larta të botës të shtunën teksa u zgjodh zëvendëspresidentja e parë grua e Amerikës, ndërsa bëri histori dhe ndihmoi për t’i sjellë fundin sundimit të trazuar të Donald Trump.
56-vjeçarja e lindur në Kaliforni nga një mjeke indiane edhe një profesori ekonomie me origjinë xhamajkane, do të hyjë në librat e historisë amerikane si gruaja e parë që arrin në postin e numrit dy të SHBA.
Harris gjithashtu ka qenë Kryeprokurorja e parë me ngjyrë e Kalifornisë dhe gruaja e parë me prejardhje nga Azia e Jugut e zgjedhur në Senatin Amerikan.
Duke fituar nënpresidencën, ajo do të jetë shumë pranë drejtimit të SHBA, që mund t’i shërbejë si një trampolinë për pozicionin më të fuqishëm të botës.
Me Biden, 77-vjeçar që pritet të shërbejë për vetëm një mandat, Harris do të favorizohet të fitojë kandidimin demokrat presidencial në katër vitet e ardhshëm.
Kjo do t’i japë asaj mundësinë të futet edhe më shumë në histori – e para grua presidente e SHBA.
“Këto zgjedhje shkojnë përtej Joe Biden apo mua”, shkroi ajo në Twitter pasi mediat amerikane i dhanë avantazhin në rezultatet shtetërore.
“Lidhen me shpirtin e Amerikës dhe vullnetin tonë të luftojë për të. Kemi shumë punë përpara. Le t’ia nisim.”
Ajo u konfirmua si bashkëkandidate me Biden në gusht. E ka kritikuar vazhdimisht Trump për përballimin kaotik që i bëri pandemisë COVID-19, por gjithashtu për racizmin, ekonominë dhe sulmet ndaj emigrantëve.
Harris, 56 vjeçe, ka lindur nga emigrantë në SHBA, babai i saj nga Xhamajka, mamaja nga India, një përfaqësim tipik i ëndrrës amerikane.
Ajo lindi më 20 tetor, 1964 në Oakland, Kaliforni, në atë kohë një qendër për të drejtat civile dhe aktivizmin kundër luftës.
Diploma e saj nga Universiteti historik Black Hoëard në Uashington ishte vetëm zanafilla e një ngritje të ngadaltë që e çoi atë nga prokurore në dy mandate prokurore distrikti në San Francisko dhe më pas kryeprokurore të Kalifornisë në vitin 2010.
Megjithatë, përshkrimi që ajo i bën vetes si një “prokurore progresive” u përdor nga kritikët duke thënë se ajo ka mbështetur dënime të gabuara dhe ka kundërshtuar reforma të caktuara në Kaliforni, si për shembull një ligj që lidhet me hetimin nga kryeprokurori të të shtënave që përfshijnë policinë.
Megjithatë puna e Harris ka qenë kyçe për krijimin e një profili që e katapultoi atë në fushatën për Senat në vitin 2016, duke u bërë e dyta grua me ngjyrë senatore.
Qasjet e saj si kryeprokurore e afruan me djalin e Biden, Beau, i cili kishte të njëjtin pozicion në shtetin e Delauerit dhe që vdiq nga kanceri në moshën 46-vjeçare në vitin 2015.
“E di sa shumë e respektonte Beau Kamalën dhe punën e saj dhe kjo kishte shumë rëndësi për mua teksa mora këtë vendim,” tha Biden gjatë prezantimit të parë të Harris si bashkëgaruese.
Një veterane në fushata, Harris është karizmatike, por shpejt mund ta kthejë buzëqeshjen e saj në seriozitet profesional.
Video virale të saj qarkullojnë nga viti 2017 gjatë marrjeve në pyetje të kryeprokurorit të atëhershëm Jeff Sesssions lidhur me një dëgjesë për Rusinë.
“Nuk jam mësuar të më nxitojnë kështu! Më nervozon”, u përgjigj Sessions në një pikë.
Harris gjithashtu u përplas me Biden gjatë debatit të parë demokratik, duke e ngacmuar ish-senatorin për kundërshtimin e tij ndaj programeve të autobusëve shkollor të vitit 1970 që lidheshin me shkollat e segreguara.
“Ishte një vajzë e vogël në Kaliforni, që ishte pjesë e klasës së dytë që u integrua në shkollë publike dhe çohej me autobus të veçantë në shkollë çdo ditë”, tha ajo. “Ajo vajzë isha unë.”
Ajo përplasje nuk e ndaloi Biden të zgjidhte Harris, e cila i solli shumë energji dhe menaxhim të kujdesshëm fushatës së tij.
Gjatë debatit të saj të vetëm kundër zv. Presidentit aktual Mike Pence, Harris ngriti dorën teksa ai u përpoq ta ndërpriste.
“Z. Zv. President, unë po flas, unë po flas”, tha ajo duke e parë atë në sy, ndërsa Pence heshti.
Brenda pak orësh nga debati, bluza me fjalët e saj ishin të disponueshme për t’u shpërndarë në mbarë botën përmes shitjeve online.
We did it, @JoeBiden. pic.twitter.com/oCgeylsjB4
— Kamala Harris (@KamalaHarris) November 7, 2020