Pas 14 vitesh në opozitë, laburistët rikthehen në pushtet në Britaninë e Madhe. Kjo falë një emri: Keir Starmer.
Udhëheqësi i ri i laburistëve tha se Britania kishte votuar për ndryshim dhe se ishte koha që partia e tij ta zbatonte atë, duke folur pasi fitoi një vend në parlament.
“Sonte, njerëzit këtu dhe në mbarë vendin kanë thënë fjalën e tyre, që është se ata janë gati për ndryshim,” tha Starmer.
Partia Laburiste arriti një fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar të enjten, duke i dhënë fund 14 viteve të sundimit konservator dhe duke hapur derën në Downing Street për udhëheqësin e tyre Keir Starmer.
Sipas vlerësimeve të publikuara nga televizioni britanik, laburistët, të pozicionuar në të majtë të qendrës, fitojnë 410 vende nga 650 në Dhomën e Komunave, përafërsisht sa rekordi i tyre i arritur nga Tony Blair në vitin 1997.
Konservatorët fituan 131 vende, që është rezultati i tyre më i keq historikisht.
Kjo është cilësuar dhe si performanca më e keqe e kësaj partie në zgjedhje gjatë 200 viteve histori.
Votuesit i kanë ndëshkuar ata për një krizë të kostos së jetesës, vite paqëndrueshmërie dhe përleshje të brendshme me pasojë pesë kryeministra të ndryshëm që nga viti 2016.
Kush është Keir Starmer?
61-vjeçari, i quajtur sipas themeluesit të laburistëve Keir Hardie, është lideri i parë i tyre që vjen nga klasa punëtore, shkruan AFP.
“Babai im ishte një veglabërës, nëna ime ishte një infermiere”, u thotë shpesh votuesve Starmer, duke kundërshtuar portretizimin e kundërshtarëve të tij si mishërim i një elite të vetëkënaqur dhe liberale londineze.
Me flokë gri dhe me syze me buzë të zeza, Starmer është një enigmë për shumë votues, megjithëse kjo nuk i pengoi ata ta dërgojnë atë në Doëning Street në zgjedhjet e përgjithshme të së enjtes, pas 14 vitesh qeverisje konservatore dhe pesë kryeministrash.
Kritikët e quajnë atë një oportunist pa frymëzim, por mbështetësit këmbëngulin se ai është një pragmatist menaxherial që do t’i qaset kryeministrisë në të njëjtën mënyrë sic iu afrua karrierës së tij ligjore, pa u lodhur dhe me durim.
“Politika duhet të ketë të bëjë me shërbimin,” tha Starmer në një fjalim të fushatës së fundit, duke përsëritur mantrën e tij se “vendi në radhë të parë, partia e dyta”.
Keir Starmer dhe gruaja e tij Victoria, e cila punon për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të qeverisë, kanë dy fëmijë.
Tifozi i përkushtuar i Arsenalit, i cili hyri në politikë vonë në jetë, ka luftuar për të ndryshuar imazhin e tij publik si një person i mbyllur dhe i mërzitshëm.
Megjithatë, ai thuhet se është shumë i gjallërishëm në jetën private.
Njëqind ditët e para
Keir Starmer është zotuar të heqë dorë “menjëherë” nga plani shumë i diskutueshëm i paraardhësit të tij Rishi Sunak për të dëbuar emigrantët në Ruanda.
Ai premtoi të “ndryshojë” Mbretërinë e Bashkuar, pas 14 viteve të sundimit të konservatorëve, të shënuar nga Brexit, masa shtrënguese dhe një krizë e thellë e fuqisë blerëse.
Tre prioritetet e Keir Starmer janë stabiliteti ekonomik, reduktimi i listave të pritjes së kujdesit shëndetësor dhe krijimi i një force të re të sigurisë kufitare për të trajtuar nivelet rekord të imigracionit të paligjshëm.
Qeveria e re duhet të shpallë shpejt mbështetjen për ndërtimin e apartamenteve të reja. Laburistët kanë premtuar të ndërtojnë 1.5 milionë shtëpi gjatë pesë viteve të ardhshme.
Të drejtat e punëtorëve janë ndër çështjet prioritare të laburistëve.
Keir Starmer do të marrë përsipër planin e Rishi Sunak për ta bërë MB një vend pa duhan duke hequr gradualisht shitjen e cigareve.
Sipas planit të paraqitur nga paraardhësi i tij, 15-vjeçarët e sotëm nuk duhet të jenë kurrë në gjendje të blejnë ligjërisht cigare.