Është 23 vjeç, ka lindur dhe është rritur në Terni nga prindër shqiptarë. Quhet Lorela Cubaj, pasionin më të madh të jetës ka basketbollin dhe ka zgjedhur të përfaqësojë Italinë. Sezonin e ardhshëm do të luajë në Nju Jork, në NBA-në e femrave. Dhe kjo është një arritje e madhe.
Cubaj e ka nisur karrierën e saj në Pink Basket Terni, përpara se të transferohej te Venezia. Më pas, aventura e saj vijoi në SHBA, aty ku luajti me kolegjet.
Por, vajza shqiptare nuk shkëlqen vetëm në sport. Lorela është diplomuar për administrim biznesi në Institutin Teknologjik të Xhorxhias.
Cubaj konsiderohet e tashmja dhe e ardhmja e kombëtares italiane. Shtypi sportiv italian i ka kushtuar një artikull special sportistes shqiptare, ku mbi të gjitha vlerësohet thjeshtësia e saj.
Ja çfarë shkruhet konkretisht në artikullin-profil të “Gazzetta dello Sport”:
Lorela Cubaj nuk ka dëshirë të ndryshojë, ajo qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, edhe tani që do të çojë emrin e Italisë për femra në NBA, pasi është zgjedhur për Draftin.
Lorela është shumë e lidhur me prindërit dhe vëllain, e ka nisur karrierën te Pink Basket Terni, para se të transferohej te Venecia dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasioni për basketbollin i ka lindur nga dy xhaxhallarët e saj. Duke parë ata të luanin u dashurua me sportin e koshit.
Prej vitit 2017 Cubaj jeton në Amerikë dhe është diplomuar për biznes në “Georgia Institute of Technology”. Për raportin mes basketbollit dhe studimeve, ajo ka thënë: “Perfekt. Këtu në Amerikë ke mundësinë të shprehesh më mirë, sepse duhet të jesh i zoti në sport, por nuk duhet të lësh parapa as studimet. Është ekuilibri i duhur”.
Lorela Cubaj e ka festuar realizimin e ëndrrës së saj me një parti të vogël me miqtë. Në Draft është përzgjedhur si numri 18 dhe në fillim ishte e destinuar të shkonte te Seattle Storm, që më pas e kaloi te NY Liberty në shkëmbim të një zgjedhjeje të dytë të 2023-shit. Ajo e ka mbyllur sezonin me një mesatare prej 10 pikësh, 4.3 asistesh dhe 11.3 ribaundesh.
Lorela ka një pasion të veçantë për flokët, që duhet t’i ketë të kuruar edhe kur zbret në fushë. Ajo do të ketë çdo gjë perfekte, ndërsa në kohën e lirë, që është e paktë për shkak të stërvitjes dhe studimeve, parapëlqen të ecë dhe të shkojë në kinema.