Bota Kush është miliarderi rumun që u shua bashkë me familjen nga rrëzimi...

Kush është miliarderi rumun që u shua bashkë me familjen nga rrëzimi i avionit në Itali

Një avion privat ra mbi një ndërtesë këtë të diel në San Donato Milanese të Milanos. Të gjithë personat që ndodheshin në bord humbën jetën. Piloti dhe ndihmësi i tij, 5 persona të rritur dhe një fëmijë. Sipas mediave italiane, të 8 viktimat janë të huaj.

Avioni pati një përplasje të fuqishme në tarracën e ndërtesës. Ai ishte nisur nga Linate dhe udhëtonte drejt Olbia të Sardenjës. Avioni ra mbi një ndërtesë bosh, e cila ishte nën rikonstruksion dhe që shërbente për zyra dhe një parking për autobusë. Banorët e zonës dëgjuan fillimisht një zhurmë të fortë e më pas një shpërthim, si pasojë e përplasjes. Flakët përfshinë menjëherë ndërtesën në dy kate të saj.

Por kush janë viktimat?

Piloti i avionit ishte 68-vjeçari rumun Dan Petrescu, i cili ishte po ashtu pronar i mjetit të blerë në 2015-n. Ai konsiderohej si një prej personave më të pasur në Rumani, pronar supermarketesh dhe galerish tregtare (Metro dhe Real). 68-vjeçari kishte dy shtetësi, rumune dhe gjermane. Partner i Ion Tiriac, asetet e së cilës përllogariten të jenë rreth 3 miliardë euro, Petrescu ishte shpërngulur në Gjermani për t’i shpëtuar regjimit të Nicolae Ceausescu, për t’u rikthyer në vendlindje pas vitit 1989.

Po ashtu, në mesin e viktimave është edhe bashkëshortja e tij 65-vjeçare, e lindur në Rumani dhe me shtetësi franceze, si dhe djali i tyre 30-vjeçar, Dan Stefan Petrescu, i lindur në Mynih, gjithashtu me dy shtetësi. Nëna e miliarderit ndodhej në Olbia, në vilën e familjes, duke pritur djalin dhe nipin për të kaluar pushimet në Sardenjë.

Sipas mediave rumune, djali 30-vjeçar i Petrescu kishte shkuar në Itali bashkë me disa miq, djalin e tij 1 vjeçar dhe gjyshen. Në mesin e viktimave dyshohet se është edhe djali i tij i mitur.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht janë të paqarta. Dëshmitarë thanë se kishin parë një prej motorëve të avionit në flakë dhe se ai kishte rënë pikiatë mbi tarracë.