Qindra efektivë në Francë janë në kërkim të një bosi droge i cili u arratis nga një furgon policie, një rast që ka tronditur vendin. Mohamed Amra, i njohur me nofkën “Mushkona”, po transferohej në një burg kur dy automjete përplasën furgonin në të cilin ai ndodhej.
Ky është edhe momenti ku këto dy mjete i zënë pritë furgonit të policisë dhe më pas një grup personash të armatosur nisin të qëllojnë. Një nga këto automjete u gjet i djegur menjëherë ngjarjes. Mediat e huaja theksojnë se personat e armatosur janë arratisur, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Arratisja spektakolare e trafikantit të drogës la të plagosur rëndë tre efektivë policie dhe i mori jetën dy të tjerëve.
Por kush është 30-vjeçari i cili është kreu i një rrjeti të trafikut të drogës dhe ka lidhje me grupet mafioze në Marsejë?
Mohamed Amra ishte mbajtur në burgje të veçanta në Marsejë, Paris dhe Rouen gjatë procesit ligjor kundër tij për vjedhje, akuza për të cilat u gjet fajtor dhe iu dha një dënim prej 18 muaj burg.
Ai kishte 13 vepra të mëparshme penale të cilat janë kryesisht të lehta, duke përfshirë drejtimin e automjetit pa patentë dhe refuzimin për t’iu bindur urdhrit të policisë.
30-vjeçari kishte tentuar të arratisej në fundjavë duke sharruar hekurat e qelisë së tij ndërsa nëna e tij e cila e kishte vizituar më herët u shpreh se djali i saj nuk i kishte thënë asgjë për planin e arratisjes.
Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, tha para Parlamentit se organizatorët dhe autori i ngjarjes do ta paguajnë shtrenjtë: “Do të bëhet gjithçka për të gjetur autorët e këtij krimi të neveritshëm. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje, asnjë mjet, do t’i gjurmojmë, do t’i gjejmë dhe, po ju them, do ta paguajnë. Ne ua kemi borxh viktimave. Ne ua kemi borxh familjeve dhe të dashurve të tyre”.
Një nga burimet tha se Amra dyshohet se ka urdhëruar një vrasje në Marsejë dhe ka lidhje me bandën e fuqishme “Zezakët” e qytetit. Sakaq, autoritetet e policisë franceze bëjnë me dije se gjendja e tre personave të plagosur është kritike.