Presidenti më i vlerësuar nga shqiptarët, në 30 vitet e fundit, është Alfred Moisiu i cili ka marrë votën e 31,7% të të pyeturve të sondazhit të Euronews Albania.
Pas tij, më i vlerësuari nga presidentët që ka pasur vendi gjatë demokracisë është Bamir Topi (17,9%), e më pas Rexhep Meidai (16%), Sali Berisha (11,8%), Bujar Nishani (7,7%) dhe në fund është presidenti aktual Ilir Meta (2,9%).
Thuajse 90% e shqiptarëve mendojnë se Ilir Meta nuk duhet të propozohet nga opozita për t’u rizgjedhur si President i Republikës për një mandat të dytë. Më pak se 4% duan që opozitë të propozojë Metën për President.
Tre në pesë shqiptarë (59,6%) nuk duan rikthimin e Ilir Metës as në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një në pesë shqiptarë (19,6%) janë dakord që Meta të rikthehet kryetar i LSI dhe po aq (20,8%) janë qytetarët që nuk kanë as mendim pozitiv dhe as negativ për rikthimin e Metës kryetar i LSI.
Gjetjet janë të anketës së barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe Data Centrum në nivel kombëtar në datat 25 Prill – 5 mars me 1000 intervista ballë për ballë.