Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është në ballë të përgjigjes ushtarake dhe diplomatike të Ukrainës ndaj pushtimit të plotë të Rusisë në vend.
Ai ka qenë president që nga viti 2019, pas një karriere të suksesshme si komedian.
Kush është Volodymyr Zelensky?
Në një rast të artit që imiton jetën, Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, është më i njohur për rolin e tij në serialin komik ukrainas ‘Shërbëtori i Popullit’, që flet për një mësues i cili aksidentalisht bëhet president, shkruan The Sun.
Volodymyr Oleksandrovych Zelenskyy lindi nga prindër hebrenj më 25 janar 1978, në Kryvyi Rih, në një qytet industrial kryesisht rusishtfolës në Ukrainën jugore.
Ai është presidenti i parë i Ukrainës me prejardhje hebreje.
Babai i tij, Oleksandr Zelenskyy, është profesor dhe doktor i shkencave teknike dhe kreu i Departamentit të Kibernetikës në Institutin e Ekonomisë Kryvyi Rih. Nëna e tij, Rymma Zelenska, ka punuar si inxhiniere.
Gjyshi i tij, Semyon Zelenskyy, shërbeu në Ushtrinë e Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa babai dhe tre vëllezërit e tij u vranë gjatë Holokaustit.
Volodymyr Zelensky u diplomua për juridik nga Instituti i Ekonomisë Kryvyi Rih, por nuk punoi asnjë ditë në fushën ligjore, duke ndjekur një karrierë në art.
Partia politike e Zelensky, ‘Shërbëtori i Popullit’, u krijua në mars 2018 nga pjesëtarë të kompanisë së prodhimit televiziv Kvartal 95, e njëjta që krijoi serialin satirik politik me të njëjtin emër si partia.
Ashtu si personazhi i tij në serial, Zelensky ka qëndruar në një platformë kundër korrupsionit, që kishte ndikuar në shqetësimin e gjerë për rritjen e çmimeve dhe rënien e standardeve të jetesës.
Duke nisur nga 31 dhjetori 2018, ai drejtoi një fushatë të suksesshme presidenciale që rezultoi me emërimin e tij si president i Ukrainës në 2019.
Një nga premtimet e fushatës presidenciale të Zelensky ishte se ai do të shërbente vetëm një mandat pesëvjeçar në detyrë.
Fillimisht mbështetja për Zelensky u pa kryesisht si një votë proteste, por popullariteti i tij u rrit pasi besimi te presidenti i atëhershëm Poroshenko u dobësua.
Cilat janë politikat e partisë së tij?
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Zelensky premtoi të çrrënjoste korrupsionin dhe gjithashtu u zotua t’i jepte fund luftës me separatistët pro rusë.
Ai deklaroi se si president do të përpiqej të zhvillonte ekonominë dhe të tërhiqte investime në Ukrainë përmes rilindjes së sistemit gjyqësor dhe rikthimit të besimit në shtet.
Zelensky mbështet anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe NATO, por mendon se votuesit ukrainas duhet të vendosin për anëtarësimin e vendit në këto dy organizata në një referendum.
Ai ka mbështetur shpërndarjen falas të kanabisit mjekësor, abortin ligjor dhe legalizimin e prostitucionit dhe lojërave të fatit, por jo legalizimin e armëve.
Në prill 2021, pas ngritjes së fuqisë ushtarake ruse në kufijtë ukrainas, Zelenskyy foli me presidentin amerikan Joe Biden dhe u kërkoi anëtarëve të NATO-s që të shpejtojnë kërkesën e Ukrainës për anëtarësim.
Cila është familja e Zelensky
Volodymyr Zelensky është martuar me arkitekten dhe regjisoren ukrainase Olena Kiyashko që nga viti 2003. Ata u njohën në shkollën që frekuentonin të dy.
Çifti ka dy fëmijë, vajzën Oleksandra e lindur në 2004 dhe djalin Kyrylo i lindur në 2013.
Në filmin e Zelenskit të vitit 2014 ‘8 takime të reja’, vajza e tij luajti rolin e protagonistes.