Personi i shpallur në kërkim nga policia për 137 kilogramët e kokainës të kapura në kontenierë me banane në Portin e Durrësit, është Gentian Malindi, 42 vjeç.
Malindi ka qenë me dy të arrestuarit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, të dy punonjës në portin e Durrësit, por i ka shpëtuar policisë pasi ka kuptuar se në pakot me kokainë mund të kishte GPS.
Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për drogë.
Kokaina zëvendësohet me oriz
Ishin autoritetet greke dhe DEA amerikane, i dërguan informacionet policisë shqiptare, duke i kërkuar të verifikojnë kontenierët me banane.
Ndalesa tranzit e 4 kontenierëve të nisur nga Ekuadori për Shqipëri, ishte Pireu, por autoritetet greke nuk u bënë kontroll të kontenierëve, duke ia lënë detyrë policisë shqiptare për të ndërhyrë në Portin e Durrësit që të zbuloheshin porositësit.
Pas një kontrolli të imtësishëm në kontenierët me banane, u gjetën 137 kilogramë kokainë.
Por për të rënë në gjurmët e trafikantëve, policia zëvendësoi kokainën me oriz duke i vendosur GPS në mënyrë që të ndiqnin lokacionin e personave që mund të merrnin lëndën narkotike, pa e ditur që ajo ishte zëvendësuar me oriz.
Të arrestuarit
Dy personat që u arrestuan janë 53-vjeçari Ardian Bega dhe 35-vjeçari, Altin Myslimhaka. Ardi Veliu tha se dy punonjësit e arrestuar në Portin e Durrësit hynë tek kontenierët, dhe morën një sasi lënde narkotike nga kontenieri. Ata e transportuan me një automjet me targa franceze, duke e çuar në një zonë që ata kanë menduar të sigurt. Por policia i ka ndjekur me GPS dhe i ka arrestuar. Në automjet me dy punonjësit, dyshohet se ka qenë edhe Gentian Malindi, i cili pasi ka kuptuar se pakot me kokainë nuk ishin të njëjtat, ai ka mundur të arratiset.
Policia po vazhdon hetimet për të zbuluar personat e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë trafik droge. Ndaj të arrestuarve rëndon vepra penale “trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.