Menaxherja e fushatës së republikanëve ka nofkën “Ice Baby”. Nuk është një fytyrë e njohur sepse i pëlqen të punojë në prapaskenë, por ishte thelbësore për fitoren e manjatit amerikan. Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Susie Wiles, një nga drejtueset e ekipit të fushatës së tij, si shefe të kabinetit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, gruaja e parë që do të ketë këtë post të rëndësishëm.
Kur miliarderi Mark Cuban, një mbështetës i madh i Kamala Harris, u shpreh në ditët e fundit të fushatës se pranë Trumpit “nuk shihni kurrë gra të forta dhe inteligjente” sepse “ai ndihet i frikësuar prej tyre”, Susie Wiles menaxherja e fushatës së Trump publikoi në X një foto të saj në shoqërinë e Trump, i cili e dëgjon me vëmendje teksa ajo flet.
“Më kanë thënë se Mark Cuban ka nevojë për ndihmë për të identifikuar gratë e forta dhe inteligjente që rrethojnë Presidentin Trump. Këtu jemi”, – shkroi Wiles, duke nënvizuar edhe rolin e bashkë-kryetares së ekipit të tranzicionit, Linda McMahon dhe bashkë-kryesueses së Komitetit Kombëtar Republikan, Lara Trump.
Ishte postimi i saj i parë në Twitter që nga shkurti 2023. E njohur për punën e saj në hije, Wiles u ftua të fliste gjatë fjalimit të fitores së Trump në Qendrën e Konventave në Palm Beach të dielën mbrëma (personi i vetëm që ai i zgjati mikrofonin përveç zëvendësit të tij J.D. Vance).
“Suzie, eja këtu. Suzi, eja këtu” – thirri Trump. Ajo, me një këmishë të bardhë mëndafshi, falënderoi dhe nuk pranoi, duke ftuar bashkë-menaxherin e saj Chris LaCivita të fliste.
“Suzie preferon të qëndrojë prapa. Por më lejoni t’ju them, “Ice Baby”, ne e quajmë atë “Ice Baby”. Asaj i pëlqen të jetë në prapavijë”, – tha Trump. LaCivita e quajti atë “shefe” të tij. Tani po flitet për rolin e saj të mundshëm në një nga postet më të rëndësishme si shefe e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë. Nuk do të befasonte askënd, sepse ajo ka qenë efektivisht shefe e stafit të tij për 3 vitet e fundit.
Sipas LinkedIn, përvoja e saj daton që në fushatën zgjedhore të Ronald Reganit të vitit 1980. Ajo ishte gjithashtu menaxhere e Ron DeSantis, duke e ndihmuar atë të bëhej guvernator në vitin 2018 dhe të rizgjidhej në 2020, gjatë zgjedhjeve paraprake republikane përballë Trump, por thuhet se mosmarrëveshjet me guvernatorin dhe gruan e tij e bënë atë të largohej duke u rikthyer me shefin e tij të vjetër.
Ajo e konsideroi përvojën me DeSantis si “gabimi më i madh” i karrierës së saj. Në një intervistë të rrallë për Politico, ajo tha se “nuk i dëshironte” ngjarjet e 6 janarit 2021, por “nuk mendonte se Trump i shkaktoi ato”.