Ndoshta nuk është as koha dhe as momenti i duhur, por presioni i momentit duket se bëri që ndërrimi “kokë më kokë” i një basketbollisteje amerikane me një tregtar armësh të ndodhte tani. Brittney Griner dhe Viktor Bout akuzohen për vepra penale krejtësisht të kundërta, por rrethanat dhe presioni politik nga të dyja palët bëri që të rezervohet kjo disbalancë. Nga njëra anë është Griner, e cila ka marrë një rëndësi të veçantë për Shtetet e Bashkuara, teksa u përdor si një karrem gjeopolitik nën ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë. Dhe kjo ishte arsyeja se përse administrata e Biden nisi menjëherë negociatat me Kremlinin zyrtar. Ndërkohë, në krahun tjetër, Bout mori një rëndësi tepër të madhe për Rusinë, duke u kthyer në një puzzle të madh.
Por, kush është ky njeri për të cilin Putin “lë kokën”?
Tregtari rus i armëve Viktor Bout, i cili u kthye në Rusi të enjten në një shkëmbim të burgosurish me yllin e basketbollit amerikan për femra, Brittney Griner, njihet gjerësisht jashtë vendit si “Tregtari i vdekjes” që nxiti disa nga konfliktet më të këqija në botë.
Në Rusi, megjithatë, ai shihet si një biznesmen aventurier, i cili u burgos padrejtësisht pas një operacioni tepër agresiv të SHBA-ve.
Filmi i Nicolas Cage i vitit 2005 “Lord of War” bazohej kryesisht në historinë e tij, Bout, një ish-oficer i forcave ajrore sovjetike i cili fitoi famë me sa duket duke furnizuar armë për luftërat civile në Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Klientët e tij thuhet se përfshinin Charles Taylor-in e Liberisë, udhëheqësin libian Moammar Gadafi dhe të dyja palët në luftën civile të Angolës.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se shkëmbimi u bë në Abu Dhabi dhe televizioni rus shfaqi video të Viktor Boutit në një avion privat, duke kontrolluar presionin e gjakut dhe duke folur me familjen e tij në telefon. Më vonë pamjet treguan mbërritjen e tij në aeroportin Vnukovo të Moskës, me gruan dhe nënën e tij duke e përqafuar.
“Ata thjesht më zgjuan dhe më thanë të mblidhja sendet e mia,” tha Bout, duke iu referuar zyrtarëve të burgut amerikan. “Nuk më dhanë ndonjë informacion të veçantë, por unë e kuptova situatën”.
Nëna e zotit Bout, Raisa, falenderoi Presidentin Vladimir Putin dhe Ministrinë e Jashtme për lirimin e djalit të saj, raportoi agjencia Tass.
Rusia kishte bërë presion për vite me radhë për lirimin e zotit Bout dhe ndërsa spekulimet u rritën për një marrëveshje të tillë, dhoma e lartë e parlamentit hapi një ekspozitë të pikturave që ai bëri në burg – subjektet e të cilave varionin nga diktatori sovjetik Josef Stalin tek një kotele.
Shfaqja e artit të tij nënvizoi kompleksitetin e Boutit. Edhe pse në një biznes të përgjakshëm, 55-vjeçari ishte një adhurues i ushqimit vegjetarian dhe i muzikës klasike, që thuhet se flet gjashtë gjuhë.
Edhe ish-gjyqtari federal që e dënoi në vitin 2011 mendoi se 11 vitet e tij pas hekurave ishin dënimi i duhur.
“Ai ka bërë kohë të mjaftueshme për atë që bëri”, tha Shira A. Scheindlin për agjencinë Associated Press në korrik, ndërsa perspektivat për lirimin e tij dukej se po shtoheshin.
Zonja Griner, e cila u arrestua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës në shkurt pasi në bagazhin e saj u gjetën kuti me vaj kanabisi, u dënua në gusht me nëntë vjet burg. Uashingtoni e kundërshtoi dënimin e saj si disproporcional dhe disa vëzhgues sugjeruan se shkëmbimi i një tregtari armësh për një të burgosur për një sasi të vogël droge do të ishte një marrëveshje jo e mirë.
Viktor Bout u dënua në vitin 2011 nën akuza për terrorizëm. Prokurorët thanë se ai ishte gati të shiste deri në 20 milionë dollarë armë, duke përfshirë raketa tokë-ajër për të rrëzuar helikopterët amerikanë. Kur ata dhanë argumentat përmbyllëse në dënimin e tij në vitin 2012, Bout bërtiti: “Është një gënjeshtër!”
Viktor Bout ka shpallur me vendosmëri pafajësinë e tij, duke e përshkruar veten si një biznesmen legjitim që nuk shiste armë.
Rasti i zotit Bout përshtatet mirë me pozicionin e Moskës se Uashingtoni u përpoq të kapte dhe shtypte rusët e pafajshëm mbi baza jo serioze.
Gjithnjë e më shumë, Rusia e përmendi rastin e tij si një çështje të të drejtave të njeriut. Gruaja dhe avokati i tij pretenduan se shëndeti i tij u përkeqësua në mjedisin e ashpër të burgut ku të huajt nuk kanë gjithmonë të drejtë për pushime që mund të marrin amerikanët.
Zoti Bout nuk ishte planifikuar të lirohej deri në vitin 2029. Ai u mbajt në një burg të sigurisë së mesme në Marion, të shtetit Illinois.
“Ai mori një dënim të vështirë,” tha Scheindlin, gjykatëse në pension, duke vënë në dukje se operativët amerikanë e bën atë të thoshte se ishte i vetëdijshëm se amerikanët mund të vdisnin nga armët që ai shiti në mënyrë që të kërkonin një dënim të gjatë me burgim, nëse jo një dënim të përjetshëm.
Gjykatësja Scheindlin i dha zotit Bout dënimin minimal të detyrueshëm prej 25 vjetësh, por tha se e bëri këtë vetëm sepse kërkohej.
Në atë kohë, avokati i tij mbrojtës pretendoi se SHBA-ja kishte vënë në shënjestër zotin Bout në mënyrë hakmarrëse, pasi kompanitë e tij ndihmuan në dërgimin e mallrave për kontraktorët ushtarakë amerikanë të përfshirë në luftën në Irak.
Furnizimi ndodhi pavarësisht sanksioneve të Kombeve të Bashkuara të vendosura kundër zotit Bout që nga viti 2001 për shkak të reputacionit të tij si një tregtar famëkeq ilegal armësh.
Prokurorët i kishin kërkuar gjykatëses Scheindlin të jepte një dënim të përjetshëm.
Viktor Bout u vlerësua të kishte rreth 6 miliardë dollarë në mars 2008 kur u arrestua në Bangkok, të Tajlandës. Autoritetet amerikane e mashtruan atë të largohej nga Rusia për atë që ai mendoi se do të ishte një takim mbi një marrëveshje biznesi për të dërguar atë që prokurorët e përshkruan si “një arsenal të madh armësh – duke përfshirë qindra raketa tokë-ajër, mitralozë dhe pushkë snajper – 10 milionë fishekë municione dhe pesë ton eksploziv plastik”.
Ai u arrestua në një hotel luksoz në Bangkok pas bisedave me informatorët e operacionit të Administratës së Zbatimit të Drogës, të cilët u paraqitën si zyrtarë të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohura gjithashtu si FARC. Grupi ishte klasifikuar nga Uashingtoni si një grup narko-terrorist.
Ai u soll në SHBA në nëntor 2010.
Nofka “Tregtar i vdekjes” iu vu Viktor Boutit nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Britanisë. Nofka u përfshi në aktakuzën e qeverisë amerikane për Viktor Boutin.
Dhe natyrshëm në këtë rast lindin pyetjet: Përse Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar kaq shumë kohë për ta mbajtur atë me pahir të burgosur? A do të kthehet ai sërish? Këtë ndoshta nuk e dimë, por ajo që dimë është se nëse ka një fitues në këtë mes, ai është Vladimir Putin, por një fitore që vjen me çmimin e ekspozimit të dobësisë së tij dhe nevojës së tij për të mbajtur pranë elitën ushtarake në të cilën mbështetet.