Aktualitet Kush gënjen për përfundimin e argjinaturës së lumit Shkumbin?

Kush gënjen për përfundimin e argjinaturës së lumit Shkumbin?

Rehabilitimi i argjinaturës prej 6 kilometrash përgjatë lumit Shkumbin në segmentin Gosë-Ballaj u premtua nga kreu i bashkisë së Rrogozhinës në gusht të këtij viti. Interesimit të Faktojes për ecurinë e punimeve Bashkia e Rrogozhinës iu përgjigj se rehabilitimi ka përfunduar, por Ministria e Bujqësisë pranon se ka mbaruar vetëm 4 nga 6 kilometra kanë përfunduar. 

Në 30 gusht të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, postoi në Facebook foto nga punimet për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Shkumbin. Rehabilitimi i argjinaturës së lumit Shkumbin bëhet me qëllim mbrojtjen e tokave bujqësore dhe banesave nga përmbytja. Në postimin në Facebook të kryebashkiakut Memolla, pohohet se projekti është në fazën e dytë dhe po punohet për rehabilitimin e 2.3 km nga 6 km total. Projekti, sipas kryebashkiakut, mbështetet pjesërisht edhe nga Ministria e Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural (MBZhR).

Postimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës Edison Memolla, më 30 gusht 2022

Me afrimin e sezonit të shirave, në 16 shtator 2022, “Faktoje” i dërgoi kërkesa për informacion Bashkisë Rrogozhinë dhe Ministrisë së Bujqësisëpër t’u interesuar mbi përparimin e punimeve për këtë projekt. Konkretisht, pyetëm nëse ka përfunduar rehabilitimi i argjinaturës së lumit Shkumbin, përgjatë segmentit Gosë-Ballaj.

Përgjigjet që morëm nga dy institucionet ndryshonin nga njëra-tjetra. Ndërsa Bashkia Rrogozhinë u përgjigj se “rehabilitimi i argjinaturës së lumit Shkumbin ka përfunduar plotësisht,” Ministria na bën me dije se është rehabilituar vetëm 4 km nga 6 km në total.

Përgjigja e Bashkisë Rrogozhinë kërkesës për informacion nga Faktoje

Përgjigja e Ministrisë se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkesës për informacion nga Faktoje

“Faktoje” udhëtoi drejt Bashkisë së Rrogozhinës për të bërë një verifikim në terren, më 5 tetor.

Nga vëzhgimi i “Faktoje”, përgjatë lumit Shkumbin mungonte argjinatura, pendët apo pritat për mbrojtjen e tokave nga përmbytja.

Për referencë, argjinaturat e lumenjve duken si në fotot më poshtë, marrë nga interneti.

Shembull i argjinaturës së një lumi, foto nga ATSH

Brigjeve të lumit Shkumbin u mungonin struktura të tilla që parandalojnë përmbytjen, siç duket në fotot më poshtë, kapura nga verifikimi në terren i “Faktoje”.

Lumi Shkumbin përgjatë segmentit Gosë-Ballaj në Bashkinë Rrogozhinë, 5 tetor 2022 

Lumi Shkumbin përgjatë segmentit Gosë-Ballaj në Bashkinë Rrogozhinë, 5 tetor 2022

Lumi Shkumbin përgjatë segmentit Gosë-Ballaj në Bashkinë Rrogozhinë, 5 tetor 2022

Kështu, përpara sezonit të reshjeve, lumi Shkumbin mbetet një rrezik për tokat bujqësore të Bashkisë Rrogozhinë. Ndërkohë që Bashkia Rrogozhinë pretendon se premtimi për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Shkumbin në segmentin Gosë-Ballaj është përmbushur, Ministria e Bujqësisë, dhe verifikimi i “Faktoje” në terren provoi të kundërtën. Si rrjedhojë, ky premtim vlerësohet si i pambajtur.

/Faktoje.al