Opinione Kush humbi dhe kush fitoi në Asamblenë e PS

Kush humbi dhe kush fitoi në Asamblenë e PS

Nga Dritan Hila

Asambleja e fundit e PS ishte edhe një shpresë e shumë socialistëve të rrethit të Ramës që të projektohej se cili do të ishte më afër tij gjatë mandatit të tretë dhe cilët sulmuesit për mandatin e katërt.

I pari, Taulant Balla, njeriu më i votuar në zgjedhjet e fundit dhe më i fuqishmi pas Ramës nga ndikimi, e pa veten në sallë. Nuk e mori atë që ëndërron prej kohësh: Ministrinë e Brendshme, një ministri që Çuçi as e dëshironte por ia lanë sërish. Të paktën për Ramën, Çuçi nuk është pretendent por as i shkakton telashe për lidhje me krimin. Kurse Balla do të ishte problem. Bëhej shumë i fuqishëm dhe me lidhjet që ka, bëhej faktor. Gjithë këto pushtete mund të kompensonin mungesën e karizmës dhe ta bënin në të ardhmen konkurrent, por mesa u duk këtë herë, tani as te Festa e Birrës, nuk do bëhet dot faktor.

Damiani mori shpërblim për zgjedhjet, por u largua nga Vlora, qyteti ku la pas ngatërresa.

Dërgimi i Arben Ahmetajt në Vlorë mund të shikohet si qarkullim i thjeshtë. Por në fakt Ahmetaj ka për t’u kujdesur që të rregullojë raportet e krisura të Ramës me këtë qytet, mision i pamundur për Damianin që i kishte tensionuar, por i mundshëm për Ahmetaj i cili nuk është pjesë e klaneve të qytetit.

Belinda Balluku më shumë sesa pretendente është një kapriçio e Ramës. E pëlqen por deri këtu ku është, pasi nuk ka kapacitete për më tej.

Kjo asamble nuk kishte lidhje me fatin e Veliaj, pasi fati i tij do diskutohet pas një viti, vit i cili nuk do të ketë lidhje me euforinë e tanishme pas fitores së zgjedhjeve, por kur Ramës do t’i duhen makina elektorale, një prej të cilave është edhe Lali.

Sa i takon Erion Braçes, Rama i la të kuptonte që e kishte arritur apogjeun e vet. Kurse Majkos i la mundësinë që të merret me partinë, detyrë që në kushtet e pushtetit ose është trampolinë, ose azil. Ky ndryshon nga rasti i Klosit që di të jetë njeri i gjithë sezoneve dhe një ditë rishtas mund të jetë në qeveri për të ngjitur raporte force të prishura.

Ajo që dha të kuptojë kjo Asamble, përveç dizenjimit të qeverisë, është se Rama nuk ka ndërmend të dalë në pension politik; që nuk po kërkon pasardhës por vetëm dishepuj, dhe që kërkon të thyejë rekordin e Berishës, i cili qëndroi mbi trembëdhjetë vite në komandën e shtetit. Synim që Ramës, ia mundëson një mandat i katërt. Gjithë të tjerët, politikanë, parti, resurse njerëzore të së majtës janë në funksion të këtij synimi. Dhe meqenëse ia doli që të kalojë stekën e paraardhësve duke marrë një mandat të tretë radhazi, askush të mos çuditet pse pretendon një mandat të katërt. Fundja nuk është puna e tij qe t’i kufizojë ambiciet vetes./dritare.net