Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të martë spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku ndodhet një nga 17 centralet e reja të krijuara nga koncesioni i sterilizimit.
Rama tha se PPP e sterilizimit, ka garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, si dhe i ka kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.
Sipas kreut të qeverisë, hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, “nuk e cenon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë”.
Ai tha gjithashtu se ky hetim siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse “ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”.
“Doja më tepër të vija për të shfrytëzuar këtë moment ku është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të kompanisë për procedurën e sterilizimit, midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdo qoftë që individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine, që është problemi i tyre me drejtësinë.
Vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitim financiar që është më i lartë se i gjithë shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe e gjithë kostoja që është parashikuar për procesin”, tha Rama.
Prej disa javësh me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit përfunduan në qeli ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Në vendimin e izolimit të tyre, Gjykata e Posaçme evidentonte shkelje ligjore të kryera edhe nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.