Aktualitet “Kush i bën varrin tjetrit, bie vetë brenda”, Veliaj reagon për arrestimin...

“Kush i bën varrin tjetrit, bie vetë brenda”, Veliaj reagon për arrestimin e zyrtarëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi organet ligjzbatuese për vënien para drejtësisë të disa punonjësve, të cilët dyshohen se abuzonin me detyrën pranë varrezave në Tufinë.

“Falenderoj Prokurorinë dhe Policinë e Tiranës për ndihmën. Te varrezat e Tufinës kemi pasur një shqetësim prej kohësh, ku një komunitet sekserësh, të trashëguar prej vitesh, prenotonin varre. Varrezat janë publike, nuk janë private. Ka një ligj që lejon varreza private dhe kush do që të bëjë varreza private duhet të ndjekë procedurat ligjore, të prenotojë toka, varre familjare dhe gjithçka tjetër, por jo në varrezat publike. Nuk e di nëse ata 6-7 të arrestuarit janë fajtorë, këtë duhet ta thotë policia, por shprehja “kush i bën varrin tjetrit, bie vetë brenda” në këtë rast nuk është vetëm metaforë. Dua t’i kërkoj policisë dhe prokurorisë të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës. I falenderoj edhe drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, edhe drejtuesit e Policisë së Tiranës për ndihmën që na dhanë”, tha Veliaj.