Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Letoni, atje ku humbi jetën në krye të detyrës nëntetarja 32-vjeçare Zarife Hasanaj, Minisria e Mbrojtjes ka publikuar skedën e ushtarakes.
Hasanaj lindi në qytetin Barjam Curri, Tropojë dhe jetonte në Babrru të Tiranës. Ajo ishte fëmija i katërt i familjes Hasanaj, kishte një vëlla dhe dy motra. Hasanaj jetonte me prindërit dhe vëllain e martuar.
32-vjeçarja kishte përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Gramoz Palushi” në Babrru, në vitin 2006. Më pas ajo kishte ndjekur studimet në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit “Bachelor” në “Inxhinieri Agrare”, profili “Hortikulturë” në Universitetin Bujqësor të Tiranës 2012-2017.
Ajo kishte kryer kursin EOD Niveli i I-rë “Asgjësimi i Municioneve me Eksplozivë” dhe kishte marrë pjesë në trajnimin “Ndihma e parë në Incidentet EOD”. Hasanaj u mobilizua në Forcat e Armatosura më datë 4 Prill të 2008-s si ushtare profesioniste e parë dhe në datë 1 Tetor të 2013-s, titullohet nënoficere me gradën nëntetare.
Gjatë karrierës në FA, Ministria e Mbrojtjes thotë se Hasanaj është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë.
Nëntetare Zarife Hasanaj shërbeu gjithashtu si operatore EOD në RU 4040. Më 20 Dhjetor të 2018 ajo u dërgua me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6 mujor, me detyrë Operator EOD.
Zarife Hasanaj gjeti vdekjen mëngjesin e së hënës rreth orës 09:10 minuta, nga shpërthim i një mine gjatë misionit në bazën e NATO-s, Camp Adazi në Letoni, ku forcat shqiptare ishin të angazhuara me demontimin e municioneve. Nga shpërthimi u plagosën edhe Komandanti i Kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj.
Humbja e saj solli reagimin e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, Ambasadës Amerikane në Shqipëri, si dhe autoriteteve letoneze, të cilat njoftuan gjithashtu nisjen e hetimeve për ngjarjen.