Kryesore Kush janë 30 shqiptarët më të kërkuar për grabitjet e famshme

Kush janë 30 shqiptarët më të kërkuar për grabitjet e famshme

30 shqiptarë janë në kërkim ndërkombëtar për grabitjet që kanë kryer brenda territorit të Shqipërisë.

Nga grabitësit brenda Aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, te grabitja në Qafë Kashar dhe deri tek “Babagjyshët” janë emrat më të njohur të cilët kërkohen nga drejtësia shqiptare.

Mes emrave më të përfolur që kërkohen nga Interpol është Aleks Pepa, i cilësuar si “koka” e grabitjes brenda Rinasit, ku u vodhën rreth 1 milionë euro dhe që dyshohet se fshihet në Rumani, raporton shqiptarja.com

Por edhe Klement Cala një prej personave që qëlluan drejt 2 blindave në grabitjen e 9 shkurtit të këtij viti dhe ku morën rreth 3.2 milionë dollarë.

Ndër personat më të kërkuar janë edhe Fatmir Pjetri, Mark Shpendi e Dritan Kola, tre prej “Babagjyshëve” në grabitjen e ndodhur në dhjetor të 2013-së.

4 persona të maskuar si “Babagjyshë” kanë marrë një sasi të madhe floriri në një argjendari brenda një qendre tregtare. Dyshohet se të tre fshihet në një prej vendeve të Europës.

Lista e personave të kërkuar në të gjithë botën vijon edhe me emrat si Petrit Ndoci, i cili ishte kthyer në tmerrin e karburanteve në vitin 2010 për shkak se kishte grabitur disa prej tyre.

Gjithashtu edhe Elton Sako, i cili në vitin 2012 duke terrorizuar një vajzë të mitur grabiti një banesë në Tiranë.

Pjesë e listës së personave që kërkohen nga Interpol janë edhe grupi i cilësuar si “Hakmarrja për Drejtësi”, si Altin Arapi, Orik Shyti, Roland Shyti etj, por këta të fundit janë shpallur të pafajshëm pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë, por ende në Interpol emrat e tyre figurojnë si të kërkuar nga drejtësia shqiptare për grabitje e vrasje.

Nga grabitjet me thikë te grabitjet që kanë përfunduar në vrasje, të gjithë këta persona janë në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që një pjesë e bashkëpunëtorëve të tyre janë arrestuar ende disa prej grabitësve vijojnë të jenë të lirë.