Dy persona, secili me nga dy identitete, të kërkuar nga policia janë prangosur në Tiranë, tek Fusha e Aviacionit, pasi i kishin vendosur gjobë 21 mijë euro një shtetasi dhe aty kishin lënë edhe vendtakimin për të marrë paratë.
Policia e ka quajtur operacionin “TAKIMI” dhe në terren dolën efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Të arrestuarit janë:
N. F. alias A. T., 37 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Durrës, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
E. L. alias G. G.(V.), 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues ne Tiranë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash”, njofton Policia.