Aktualitet Kush janë dy vëllezërit që u gjendën të vrarë me armë zjarri...

Kush janë dy vëllezërit që u gjendën të vrarë me armë zjarri në Maliq

Një ngjarje e rëndë është zbuluar nga policia në Maliq. Trupat e pajetë të dy vëllezërve Andrea dhe Martin Olldashi, 33 dhe 31 vjeç janë gjetur të groposur në fshatin Zvirinë. Ata dyshohet se janë vrarë me armë zjarri.

Dy vëllezërit ishin larguar nga shtëpia e tyre në Pogradec që prej datës 7 Dhjetor.

“Rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”,  janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020. Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Vendndodhja e trupave të dy vëllezërve

Autoritetet policore janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.

Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Andrea dhe Martin Olldashi, nuk janë emra të panjohur për autoritetet policore. Ata rezultojnë të arrestuar në 2012-n si autorë të dyshuar të një shpërthimi me tritol të ndodhur në një lokal në qytetin e Pogradecit. Më pas ata mësohet se u lanë të lirë për mungesë provash.

Ndërsa në 2017-n, Andrea Olldashi u arrestua për disa vjedhje të ndodhura përgjatë një muaji në Korçë.