Kufiri prej 8 miliardë banorësh në planetin Tokë, është kaluar. Popullsia e botës është rritur këtë 15 nëntor dhe sipas OKB-së, ky fenomen i paprecedentë paraqet sfida të mëdha për vendet më të varfra.
Megjithatë, pas një rritjeje të madhe në mesin e shekullit të 20-të, ritmi i shtimit të popullsisë tashmë po ngadalësohet. Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, mund të duhen rreth 15 vjet për të arritur shifrën nëntë miliardë. Pavarësisht se numri i popullsisë në të gjithë botën, nuk mund të jetë plotësisht i saktë, raportet flasin për një gabim në llogaritje, me të paktën 2-3 vjet.
Në periudhat e mëparshme, OKB-ja ka zgjedhur që foshnjat që kanë plotësuar shifrën, t’i prezantojë me botën.
Por çfarë mund të na tregojnë historitë e tyre për nostalgjinë, zhvillimin njerëzor dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët për t’u kujdesur për planetin?
Matej Gaspar, njeriu i 5 miliardtë
Pak minuta pasi erdhi në jetë më 11 korrik të vitit 1987, Matej Gaspar u përball me dritën e fortë të një aparati fotografik dhe fytyrat e disa politikanëve. Kaosi momental kishte përfshirë këtë njësi të vogël të një materniteti në periferi të Zagrebit dhe në atë rrëmujë, OKB vendosi ta pagëzonte Matejin, si fëmija i pesë miliardë në botë.
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, Gaspar jeton ende në Zagreb, punon si inxhinier kimik dhe shmang çdo kontakt me median. Cirku mediatik i ditës së parë së tij në këtë botë, duket se i ka lënë një shije të hidhur.
Adnan Mevic, njeriu i 6 miliardtë
Adnan Mevic erdhi në jetë në Bosnjë-Hercegovinë, më 1999. Në një maternitet të vogël në Sarajevë, një djalë i vogël u vizitua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe emri i tij jehoi në të gjithë botën.
Sot ai është 23-vjeç, ka mbyllur studimet master në ekonomi dhe është në kërkim të një pune. Vetë Mevic ka treguar për BBC se të qenit foshnja e gjashtë miliardë, i solli atij mundësinë për të takuar Cristiano Ronaldon kur ishte vetëm 11-vjeç.
Sadia Sultana Oishee, njeriu i 7 miliardtë
Në vitin 2011, Sadia Sultana Oishee erdhi në jetë dhe e çoi numrin e popullsisë në të gjithë botën, në 7 miliardë. Oishee mbërriti në këtë botë, një minutë pas mesnate dhe menjëherë u rrethua kamerat e televizioneve dhe zyrtarë lokalë. Familja kishte mbetur e habitur nga kjo vëmendje, por e kënaqur në të njëjtën kohë.
E lindur në Bangladesh, Sadia sot është 11 vjec dhe ndihmon familjen e saj në biznesin e tyre të pëlhurave. Ajo pohon për BBC, se ëndërron që një ditë të bëhet doktoreshë.
Vinice Mabansag, njeriu i 8 miliardtë
Një vajzë e lindur në Manila, Filipine ditën e sotme, është personi i tetë miliardë në botë. Vinice Mabansag ka lindur në orën 1:29 të mëngjesit në një maternitet lokal. Gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe sipas GMA News, erdhi në jetë nëpërmjet lindjes natyrale.