Komuniteti i Jurukut në Maqedoninë Veriore ka qëndruar origjinal me zakonet e tij specifike që nga shekulli XIV. Edhe sot, ata jetojnë në izolim dhe u përmbahen rregullave tejet konservatore
Jurukët erdhën në territorin e Maqedonisë Veriore të sotme, në fund të shekullit XIV, duke shoqëruar osmanët në marshimin e tyre drejt Ballkanit. Ata janë me origjinë nga Konja në Turqi. Me osmanët, detyrat e tyre ishin të transportonin furnizime ushtarake, pajisje dhe armë, të riparonin fortifikimet, e kjo ishte arsyeja pse ata gëzonin privilegje të veçanta dhe nuk paguanin taksa e detyrime të tjera.
Një numër i Jurukëve mbeti në Maqedoni pasi osmanët u tërhoqën. Ata e zëvendësuan jetën e tyre nomade me një vendbanim të përhershëm dhe vazhduan të jetonin në izolim nga pjesa tjetër e popullsisë, përfshirë edhe pakicën turke në Maqedoninë Veriore. Ata ruajtën dialektin e tyre specifik të gjuhës turke si dhe zakonet e tjera, ku përfshihen dhe veshjet shumëngjyrëshe.
Sot ata jetojnë kryesisht në fshatrat malorë rreth Radoviqit, Shtipit, Strumicës, Dojranit, por dhe në disa fshatra në jug të Maqedonisë Veriore. Vlerësohet se ka disa mijëra prej tyre, por nuk ka të dhëna më të sakta sepse ato janë regjistruar si pjesë e pakicës turke.
Fotografi maqedonas Goran Anastasovski ka qenë në shoqërinë e jurukëve teksa ishte duke punuar për një projekt me objekt parandalimin e martesës nën moshë, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Aty ai mësoi shumëçka prej tyre, edhe tendencat për hapje e modernizim, duke theksuar se shumë vajza nga ky komunitet kanë nisur të përdorin Facebook-un.